Maratona e Tiranës / Gega thyen rekord, rritet numri i garuesve, Veliaj: Është traditë, i lumtur për qytetarët

20/10/2024 15:09

Ka përfunduar maratona e Tiranës për vitin 2024 edicioni i saj i tetë me një masivitet mjaft të lartë, sipas organizatorëve bëhet fjalë për rreth 5000 pjesëmarrës në të gjitha kategoritë si distancë klasike e 42 km, gjysmëmaratonës 21 km, 10 km dhe kategoria risi WeToo që ishte dhe kategoria e personave me aftësi ndryshe.

Veç pjesëmarrësve të sportistëve apo ish-sportistëve të cilët kategorizohen në një pakicë profesioniste, qytetar të shumtë të Tiranës por edhe nga rreth 40 shtete të ndryshme të botës u bën pjesë e këtij edicioni të maratonës e cila dalëngadalë po merr një tjetër status në arenën ndërkombëtare por edhe në përqafimin që po i bën qyteti i Tiranës këtij aktiviteti, siç e përmend edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

“Tani mund të themi që është bërë traditë edhe nuk jam vetëm i lumtur dhe i kënaqur me sportistët, por edhe me qytetarët. Një lloj ndihmese është edhe kur qytetarët e përqafojnë, nuk krijojnë trafik, nuk krijojnë pengesa. Tani është ndërtuar një standard që maratona ndodh gjithmonë. Viti i sportit regjistroi shumë fëmijë në kurset sportive, të gjitha shkollat po i bëjmë me palestra. Kjo traditë i ka dhënë një kulturë europiane kryeqyteti. Vjen era Europë”, tha Veliaj për Top Channel.

Rreth objektivave dhe pjesëmarrësve na tregon më tepër drejtori i sporteve në Bashkinë e Tiranës.

Gjergji Muzaka tha: “Është një garë gjithëpërfshirëse. Nuk ka nevojë të jesh profesionist të jesh pjesë e maratonës. Çdo qytetar mund të jetë pjesë e kësaj maratone, e kësaj feste”.

Sa i përket fituesve Luiza Gega, kampionia jonë e madhe e atletikës ndryshe nga edicionet e shkuara këtë herë mori pjesë në maratonën e klasike të 42 km duke thyer edhe rekordin personal, me një minutë, me kohën 2 orë 34 minuta e 06 sekonda, por që mjafton për t’u kualifikuar e para, për t’u quajtur rekord dhe sigurisht për të përfituar disa para më tepër.

“Nuk isha në formën time më të mirë. Pata një gjendje gripale, por që prapë e doja rekordin. Kam dëshirë që rekordin e maratonës ta thyej gradualisht, pse jo të përfitoj dhe shpërblimin që ka si maratonë (qesh)”, u shpreh Gega.

Për meshkuj maratonën e fitoi sportisti nga Kenia, Cosmas Kigen me kohën 2 orë 20 minuta e 18 sekonda, hera e parë e tij në këtë maratonë.

“Është hera e parë që vij në Tiranë. Është një qytet shumë i bukur. Maratona nuk hyn te ato të vështirat, pasi terreni ishte i sheshtë dhe pa luhatje”, tha Kigen.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA