Shifrat tronditëse të Institutit të Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal) tregojnë se pasojat e të nxehtit në kontinentin e vjetër kanë qenë shumë më të rënda nga sa mund të dukej në pamje të parë.
Sipas përllogaritjeve të hulumtuesve spanjollë, mbi 47,000 persona vdiqën në Evropë për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta në vitin 2023 dhe vendet në jug të kontinentit vuajtën pasojat më të rënda.
Viti i kaluar ka qenë më i nxehti i regjistruar në botë. Ndërkohë që temperaturat vazhdojnë të ngrihen për shkak të ndryshimeve klimatike, europianët janë ata që po jetojnë në kontinentin me ngrohjen më të shpejtë në botë, duke u përballur me rreziqe në rritje për shëndetin.
Numri i vdekjeve në vitin 2023 – më i ulët sesa ai prej 60,000 vdekjesh të lidhura me nxehtësinë në vitin paraprak – do të kishte qenë 80% më i lartë po të mos ishin zbatuar masat e 20 viteve të fundit për të ndihmuar njerëzit të përshtaten me temperaturat në rritje, si sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe përmirësimet në kujdesin shëndetësor, sipas raportit të qendrës kërkimore spanjolle të cituar nga VOA.
“Përfundimet tona tregojnë se gjatë këtij shekulli janë ndërmarrë hapa që shoqëria të përshtatet me temperaturat e larta, që kanë reduktuar në mënyrë dramatike pasojat e nxehtësisë dhe shkallën e vdekshmërisë, veçanërisht mes të moshuarve,” thotë Elisa Gallo, studiuese në ISGlobal dhe autore e studimit.
Studiuesit përdorën të dhënat e vdekjeve dhe temperaturës nga 35 vende evropiane. Ata vlerësojnë se 47,690 vdiqën nga shkaqe që lidhen me temperaturat e larta. Greqia, Bullgaria, Italia dhe Spanja ishin vendet me shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga nxehtësia.
Top Channel