Zëvendësministri i Sportit i Argjentinës është shkarkuar pasi tha se Lionel Messi duhet të kërkojë falje për skuadrën e Argjentinës që këndoi një këngë raciste dhe transfobike për Francën.
Në intervistën për radion “Urbana Play”, Julio Garro tha: “Unë mendoj se Messi duhet të dalë dhe të ofrojë falje të duhura, ashtu si edhe presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit Claudio Tapia. Kjo gjë e bën Argjentinën të duket keq si një vend. Do ishte mirë të bëhej një shembull nga kjo”.
Kjo erdhi pasi mesfushori i Chelseat, Enzo Fernandez doli drejtpërdrejt në Instagram, ndërsa drejtonte këngën ofenduese.
Për sugjerimin e tij që Messi të kërkonte falje në emër të ekipit të tij kombëtar si kapiten i klubit, Garro u shkarkua nga posti i tij nga presidenti i ekstremit të djathtë të Argjentinës, Javier Milei.
Në llogarinë e tij zyrtare, Milei shkruante: “Zyra e Presidentit deklaron se asnjë qeveri nuk ka të drejtë t’i thotë kombëtares argjentinase, kampionëve të botës dhe kampionëve të Copa America, apo çdo qytetari tjetër, çfarë të komentojë, çfarë të mendojë dhe çfarë të bëj. Kjo është arsyeja pse Julio Garro pushon së qeni nënsekretar i sportit”.
Komenti i Milei në mediat sociale u ndoq nga zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel duke thënë: “Asnjë vend kolonialist nuk do të na frikësojë për një këngë në fushë ose për të thënë të vërtetat që ata nuk duan të pranojnë. Argjentina është një vend sovran dhe i lirë. Nuk kemi pasur asnjëherë koloni apo qytetarë të dorës së dytë. Nuk ia kemi imponuar askujt mënyrën tonë të jetesës. Por as ne nuk do të tolerojmë që ata të na e bëjnë këtë… Enzo të mbështes, Messi, faleminderit për gjithçka! Argjentinasit e mbajnë gjithmonë kokën lart.”
Top Channel