PSG zgjedh dyshen për “Topin e Artë”? Dembélé dhe Kvaratskhelia në qendër të fushatës

16/09/2026 17:23

Paris Saint-Germain ka vendosur në qendër të vëmendjes dy prej yjeve të tij për garën e “Topit të Artë”: Ousmane Dembélé dhe Khvicha Kvaratskhelia.

Sipas raportimeve që i atribuohen Le Parisien, ndërsa procesi i votimit për çmimin prestigjioz ka hyrë në fazën vendimtare, PSG po fokusohet kryesisht te dyshja Dembélé-Kvaratskhelia, pavarësisht se klubi francez ka plot 10 futbollistë të nominuar në listën prej 30 kandidatësh.

Bëhet fjalë për një rekord historik. PSG është klubi i parë që ka 10 lojtarë në të njëjtën listë të “Topit të Artë”, duke përfshirë Dembélén, Kvaratskhelian, Achraf Hakimin, Marquinhos, Nuno Mendes, João Neves, Willian Pacho, Fabián Ruiz, Ferran Torres dhe Vitinha.

Dembélé hyn në garë si fituesi në fuqi. Francezi pati një rol të rëndësishëm në sezonin e jashtëzakonshëm europian të PSG-së, ndërsa klubi fitoi për të dytin vit radhazi Champions League-n. Në edicionin e kaluar të Champions League, Dembélé realizoi 8 gola dhe dha 2 asistime në 13 paraqitje.

Edhe Kvaratskhelia ka një dosje të fortë. Gjeorgjiani realizoi 10 gola dhe 6 asistime në 16 ndeshje të Champions League, ndërsa UEFA e shpalli lojtarin e sezonit në kompeticion. Në një garë ku PSG ka një numër rekord kandidatësh, fokusi te dy emra mund të jetë një mënyrë për të shmangur shpërndarjen e votave dhe për t’i dhënë më shumë peshë fushatës së klubit. Vetë Dembélé ka deklaruar më herët se beson se “Topi i Artë” i këtij viti do të përfundojë sërish në duart e një lojtari të PSG-së. Ceremonia e “Topit të Artë” 2026 do të zhvillohet më 26 tetor në Londër.

Top Channel