Para vjeshtës nuk pritet të ngrihet ndonjë aktakuzë për rastin e sulmit në Banjskë, thonë burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në atë kohë do të bëhet një vit që kur grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në këtë fshat në veri, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Hetime, paralelisht, është duke kryer edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Deri ku kanë mbërritur hetimet në Kosovë?
Burimet e Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës thonë se “punët rreth rastit janë në fazën finale” dhe se “hetimet në rastin e Radoiçiqit kanë marrë epilogun përfundimtar”.
“Pas përfundimit dhe ekzaminimit të disa raporteve periferike, do të procedohet tutje”, thonë ato.
Hollësi të tjera nuk japin, pos që aktakuza nuk pritet të ngrihet para vjeshtës.
Ndërsa Radoiçiq besohet të jetë i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, thonë se Prokuroria Speciale është brenda afatit ligjor për kompletimin e aktakuzës, pasi me ndryshimet e fundit ligjore, periudha e paraparë për përfundimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës mund të shkojë deri në tre vjet, nga dy vjet e gjysmë sa ishte më herët.
Sipas IKD-së, Prokuroria ka para vetes një numër të konsiderueshëm të provave materiale dhe të të dyshuarve për sulmin.
“Fakti që [sulmi] ka ndodhur para rreth nëntë muajsh, nuk nënkupton që, me doemos, Prokuroria të ngutet në veprimet e saj dhe të dorëzojë një aktakuzë më pak cilësore. Periudha kohore prej tre vjetësh, që ka në dispozicion, duhet të shërbejë për të pasur një aktakuzë sa më cilësore dhe mirë të provuar – nëpërmjet provave materiale dhe atyre personale”, thonë në IKD.
Nga ky institut, megjithatë, theksojnë se Prokuroria duhet ta njoftojë më shumë opinionin për rrjedhën e hetimeve – “pa i dëmtuar ato, të tregohet se deri ku kanë mbërritur”.
Radio Evropa e Lirë kërkoi komente për këtë temë edhe nga ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, por ajo nuk u përgjigj.
Në fund të vitit të kaluar, në bazë të një kërkese të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.
Deri ku kanë mbërritur hetimet në Serbi?
Se ku saktësisht ndodhet Radoiçiq, nuk është e qartë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha pas sulmit se ai gjendet në “territorin e Serbisë qendrore”.
Autoritetet shtetërore në këtë vend i hodhën poshtë akuzat e bëra nga udhëheqësit e Kosovës se ato qëndrojnë prapa “sulmit terrorist” të 24 shtatorit në Banjskë.
Radoiçiq e mori përgjegjësinë për atë sulm më 29 shtator, përmes avokatit të tij.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e ngarkon atë me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në fillim të tetorit, Gjykata e Lartë në Beograd e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tij dhe e la të lirë, por ia konfiskoi pasaportën dhe ia ndaloi shkuarjen në Kosovë.
E kontaktuar më 15 korrik nga Radio Evropa e Lirë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se “hetimet janë duke vazhduar”.
“Në këto hetime, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd bashkëpunon me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë Doganore dhe organet tjera shtetërore të Republikës së Serbisë, ndërsa për të konstatuar gjendjen e plotë faktike – përmes Ministrisë së Drejtësisë – ka kontaktuar edhe EULEX-in [Misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë]”.
“Nga EULEX-i është kërkuar dokumentacion lidhur me ngjarjen kritike të 24 shtatorit 2023, në Banjskë. Dokumentacioni, deri më sot, nuk është dorëzuar”, thuhet në deklaratë.
Çfarë thonë zyrtarë të BE-së?
REL-i pyeti EULEX-in në lidhje me këtë kërkesë të prokurorisë serbe, por nga ky mision kërkuan që pyetjet t’i përcillen Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Në një përgjigje me shkrim për REL-in, kjo zyrë konfirmoi se e ka pranuar këtë kërkesë dy javë më parë dhe se ajo u është përcjellë autoriteteve përkatëse të Kosovës.
“Ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje [nga autoritetet e Kosovës]”, thuhet në deklaratë, ku po ashtu theksohet se, në tetor të vitit të kaluar, autoriteteve serbe u është përcjellë edhe një kërkesë nga Kosova për bashkëpunim të ndërsjellë juridik në rastin e sulmit në Banjskë.
“Ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje [nga autoritetet e Serbisë]”, bëjnë me dije nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe shtojnë se autoritetet kosovare, ndërkohë, kanë kërkuar bashkëpunim të ndërsjellë juridik edhe me autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se një kërkesë e tillë i është dërguar Sarajevës zyrtare.
“Kemi marrë një përgjigje [nga Sarajeva], e cila u është përcjellë autoriteteve kompetente në Kosovë në kohën e duhur”, thanë nga BE-ja në Prishtinë, por nuk specifikuan se cila ishte përgjigjja.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha në tetor të vitit 2023 se Radoiçiq akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla – qytet në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës – në periudhën nga janari deri më 24 shtator të vitit të kaluar.
Çfarë thotë SHBA-ja?
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha së voni se Serbia ka premtuar se Radoiçiq do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit në Banjskë.
Departamenti amerikan i Shtetit e cilësoi atë si kriminel që duhet të mbahet përgjegjës.
Përndryshe, Radoiçiq është nën sanksionet e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, për shkak të dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion.
Kushtëzimi i dialogut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me dorëzimin e Radoiçiqit dhe të “grupit të tij paramilitar terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti më 28 qershor.
Në një intervistë për Euronews Albania më 16 korrik, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet në Prishtinë kanë prova se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë drejtpërdrejt “i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë”.
Në mesin e këtyre provave, ai përmendi informacione nga inteligjenca dhe dëshmi gojore.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, reagoi në platformën X, duke thënë se “e vetmja dëshmi që ekziston, është persekutimi i serbëve nga Kurti dhe Sveçla”.
Pa përmendur ndonjë provë që do ta mbështeste këtë pretendim, Petkoviq tha se “për Banjskën thuhen shumë gënjeshtra dhe gënjeshtra më e madhe është se Vuçiq ka dhënë urdhrin”.
Në një tjetër zhvillim, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nëse Serbia nuk ndëshkohet, ajo do ta përsërisë sulmin në Banjskë.
Top Channel