“Ballës i ka mbaruar mandati!”/ Nis me përplasje mbledhja e KLP, anëtarja Seiti replikon me nënkryetarin Bazaj: Të ka mbaruar dhe ty!

27/05/2024 11:21

Pas ndërprerjes së vettingut për kryetarin e KLP Alfred Balla, është thirrur këtë të hënë mbledhja për të vendosur për përfundimin e mandatit të tij.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se mbledhja drejtohet nga nënkryetari Tartar Bazaj, ndërsa mungon Balla.

“Jam i detyruar të thërras këtë mbledhje, nuk ndihem aspak komod. Jemi dhjetë anëtarë, zoti Balla mungon”, është shprehur Bazaj.

Ndërsa Bazaj tha se Ballës i ka mbaruar mandati, ka replikuar anëtarja Nurihan Seiti e cila i ka thënë se i ka mbaruar edhe atij mandati.

“Jeni në konflikt interesi, hidhe në votë! Alfred Balla ka përgjegjshmëri dhe profesionalizmin”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër Balla ka kërkuar që të jetë prezentë në këtë mbledhje, duke deklaruar ndër të tjera se: Duke qenë një rast i veçantë i paparashikuar nga Kushtetuta dhe ligji organik dhe një vendim që cënon drejtpërdrejt interesat e mia, duhet të dëgjohem paraprakisht nga ky Këshill.

Kujtojmë se disa ditë më parë KPA vendosi largimin e tij për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Teksa mandati i zyrtarit më të rëndësishëm të KLP ka përfunduar prej dhjetorit 2023 dhe ishte në detyrë derisa të zëvendësohej, me vendimin e formës së prerë të vettingut Alfred Balla nuk mund të emërohet as gjyqtar, as prokuror, apo anëtar KLP, KLGJ dhe inspektor deri në vitin 2035.

Kolegji i Pavarur i Apelimit shpalli se Balla ishte dorëhequr me dëshirën e tij nga kontrolli i 3-fishtë i vettingut ndryshe nga pretendimi i tij që këmbëngul se nuk kishte statusin e magjistratit përderisa e kishin shkarkuar nga detyra si ndihmës ligjor në gjykatën e lartë dhe më pas në KLP mori një mandate si anëtar i shoqërisë civile.

Çështja e kryetarit të KLP u mbyll në shkallën e parë të vettingut pa një vendim përfundimtar, dhe për këtë arsye komisioneri publik apeloi në KPA.

Trupa gjyqësore e përbërë nga Ina Rama Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo e shfuqizoi shkallën e parë dhe vendosi të ndërpresë vettingun për Ballën, një vendim marrje që do të thotë largim për 15 vjet dhe që më herët mbas dorëheqjes nga procesi është aplikuar edhe ndaj ish kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Vendimi për Alfred Ballën u dha gjatë kohës që ai ishte në një vizitë studimore në Romë së bashku me anëtarët e Këshillit dhe meqenëse është vendim i formës së prerë, sipas ligjit zëvendësimi i tij i përkohshëm deri në hapjen e garës do të bëhet nga Tartar Bazaj.

Por Bazajt sikurse edhe Nurihan Seitit u ka mbaruar mandati prej dhjetorit 2023 dhe pritet të zëvendësohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA