Analistët në studion e emisionit “Top Story” me Grida Dumën në Top Channel kanë diskutuar lidhur me mundësinë e realizimit të votës së diasporës shqiptare.
Ergys Mërtiri tha se asnjëra prej partive politike nuk do që të realizohet vota e diasporës, ndërsa takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë e cilësoi si “spektakël” që nuk sjell asgjë konkrete.
“Këta kanë 12 vjet që janë dakord dhe ende nuk e bëjnë. Kanë luajturgjithë këto vite me këto terma. Edhe në Greqi ai bën spektakël. Nuk ka asgjë konkrete për të pasur produkt. Të gjitha palët shprehen dakord për votën e diasporës por çfarë i ka penguar ta bëjnë?”- argumentoi Mërtiri.
Nga ana tjetër, Lorenc Vangjeli u shpreh i bindur se PS do të dalë me një propozim konkret mbi mënyrën sesi do të realizohet vota e diasporës dhe shtoi se opozita do e refuzojë një propozim të tillë.
“Jam i bindur se socialistët do kenë ofertë konkrete për votën e diasporës për mënyrën e regjistrimit të tyre dhe marrjen e votës këtu ndërkohë që do refuzohet nga opozita. Dhe kjo ka të bëjë edhe me turin e Ramës që është elektoral. Imagjinoni tani, Rama që bredh cep e në cep për të marrë mbështetjen ndërsa Berisha nga ballkoni që sado të bërtasë prej aty nuk bën dot gjë”- tha Vangjeli.
Sipas tij, PS sheh tek diaspora mundësi për të fituar një numër të madh votash.
Top Channel