E diela e 5 majit do të niste e trishtë, e zymtë pas telefonatës që një peshkatar do të bënte në policinë e Shkodrës. Trupi i vajzës 9 vjeç, Ergesës, do të gjendej në këtë zonë të lumit Buna.
Gjetja e trupit të saj dha kambanën e alarmit se nëna e zhdukur disa ditë më parë me tre fëmijët e saj mund të ishte vetëflijuar. Për herë të fundit, ata ishin parë pikërisht buzë lumit, derisa humbën çdo kontakt.
Pasditen e dy majit Alma Arrazi me tre fëmijët e saj dhe kunatën po pinin një kafe në një prej lokaleve të qytetit të Shkodrës.
‘Ajo që dëshmitarët tregojnë kryesisht punonjësit e shërbimit të lokal Panorama në Shkodër është që të dyja gratë janë paraqitur të qeta dhe ishin ulur në një tavolinë pranë vendit ku fëmijët po luanin’- u shpreh Anila Hoxha, gazetare.
Në momentin që kanë dalë, Alma nuk ka dashur të shkojë në shtëpi. Referuar edhe dëshmisë së dhënë nga kunata, ajo kishte thënë se do takonte të vëllanë.
‘Unë do të shkoj nga vëllai të rri disa ditë të qetësohem. Do vij të më marrë me taksi’. Takimi mes kunatave në këtë lokal ishte i përjavshëm sipas dëshmisë së kamarierëve. Sipas tyre, Alma ishte një nënë e qetë dhe e përkushtuar me fëmijët e saj.
‘E veçanta që kishte parë ditën e fundit ishte se krahasuar me ditët e tjera të dyja gratë shkonin në lokal gjithmonë bashkë dhe në shoqërinë e fëmijëve dhe në datë 2 maj ato kanë shkuar veç. E para ka mbërritur në lokal Alma së bashku me fëmijët dhe më pas ka mbërritur kunata e saj. Nuk ka parë asgjë që mund të ishte ndryshe nga herët e tjera përveç kohës së gjatë që kanë qëndruar në lokal që prisnin fëmijët që po lunain. Kamerieri më tregoi gjithashtu se Alma ishte një grua shumë e dedikuar për fëmijët e cila qëndronte kryesisht në tavolinën më të afërt dhe ngjitur me fëmijët’-u shpreh Anila Hoxha, gazetare.
Top Channel