Haga dënoi me 81 vite burg liderët e UÇK-së, deputeti i PDK-së në “Top Story“: U përmbys çdo ide e drejtësisë, Kosova viktimë e një rendi të ri

17/09/2026 07:20

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj komentoi vendimin e Hagës e cila dënoi me 81 vite burgim 4 ish-liderët e UÇK-së.

I ftuar në ‘Top Story’, Hoxhaj ngriti pyetjen se çili është qëllimi final i këtij vendimi, duke shtuar se ajo çfarë u vendos në Hagë tregoi që ‘ne jemi viktima e parë të një rendi të ri që është në ngritje e sipër.’

“Besoj që do të ketë efekte, sepse nuk mundet një gjykatë, në emër të popullit të Kosovës, të sjellë vendime të tilla.

Pyetja tjetër është për politikën në Kosovë: cili është qëllimi final? Çfarë mendohet të arrihet me një vendim të tillë? Ajo çfarë u tha ishte nga një verdikt i një regjimi.

Kurrkund nuk u përmend shtypja e shqiptarëve, spastrimi etnik, shfarosja deri në gjenocid. Kjo përmbys çdo ide të drejtësisë.

Nëse debati ynë në këto 10 vite ka qenë rreth pyetjeve pse dhe si u themelua, apo pse dha dorëheqjen prokurori, politika duhet të bashkohet dhe të marrë vendime në përputhje me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës. Vendimi i sotëm tregoi që ne jemi viktima e parë e këtij rendi të ri që është në ngritje e sipër.

Ne duhet ta rimendojmë qasjen tonë si shtet, si dhe politikën e re të jashtme që duhet të ndjekë Kosova. Është më se kritike që ne të insistojmë që të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës dhe BE. Edhe EULEX-i mund të mbikëqyret nëse Kosova është pjesë e BE-së.

Të flasim me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë. Nuk mjafton të thuhet vetëm pavarësia e Kosovës dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë. Ideja e lirisë dhe pavarësisë është vënë sot në pikëpyetje dhe do të përdoret Kosova për të luftuar interesat e Kosovës.

Unë mendoj që kjo çështje është edhe e Shqipërisë. Krahas 12 komunave, u përmendën edhe dy qytete të Shqipërisë. Edhe Shqipëria duhet ta shohë këtë si një moment kthese. “Shtëpia e Verdhë” ishte në Shqipëri. Bashkëpunimin me hartuesit e raportit të Dick Marty-t…

Në vitin 2010, kur lindi raporti i Dick Marty-t, u tha se përgjegjësia do të jetë individuale. Sot, çfarë dëgjuam ishte e kundërta. Kjo duhet të jetë për Shqipërinë dhe Kosovën një moment për të nxjerrë një bilanc dhe për të ridimensionuar marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët”, u shpreh deputeti i PDK-së.

Top Channel