Inside Story/ Exclusive, doli nga dasma dhe…! Nëna e të riut lituanez kërkon të vërtetat e aksidentit misterioz…
Në çdo aksident rrugor, sekondat e para janë vendimtare. Është momenti kur ngjarja ende “jeton” në terren: në pozicionin e mjeteve, gjurmët e frenimit, dëmtimet dhe çdo detaj që më pas kthehet në provë.
Të parët që mbërrijnë janë patrullat e policisë, të cilat sigurojnë zonën dhe japin ndihmën e parë. Kur aksidenti ka pasoja të rënda, nis edhe faza hetimore: oficeri i policisë gjyqësore, eksperti kriminalistik, ai autoteknik, dhe prokurori që drejton procesin.
Por, në shumë raste, prokurori nuk shkon në vendngjarje, duke lënë OPGJ-në të plotësojë procesverbalin.
“Duke qenë prokurori në vendngjarje nuk ngushtohet dhe nuk merret vetëm me element shumë të vegjël dhe shumë të ngushtë të aksidentit, por e zgjeron gamën e hetimit, për të nxjerrë përgjegjës edhe personat që përgjigjen për rrugën, ose më saktë entin pronar të rrugës, ku në rastin konkret mund të jetë njëherë drejtoria e rrugëve, njëherë bashkia, në varësi të faktit ku ka ndodhur aksidenti. Dhe në rast se hetimet kryhen të thella dhe të plota shmang dhe eviton edhe aksidentet e tjera”, u shpreh ish-prokuror, Eugen Beci.
“Procesverbali, i këqyrjes së vendit të ngjarjes nga policia rrugore që shkon në vendngjarje është elementi kryesor nga e cila bazohet pastaj zgjidhja e asaj ngjarjeje që ka ndodhur në rrugë. Fatkeqësisht ne e shohim në rrugë që ka shumë mangësi në këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ne bëjmë këqyrje nga këto baziket ku caktohet një pikë referimi, sa metra është njëra gomë sa metra është një gjurmë në rrugë”, u shpreh Gedeon Dudushi
Në teori, kjo është faza ku ndërtohet e vërteta e aksidentit. Por në praktikë krijohen hapësira që ngrenë pikëpyetje. Akoma më keq, përgjegjësitë lihen mënjanë duke inkurajuar abuzuesit e rëndë të rrugës që ia hedhin lehtë.
Nga analiza e disa vendimeve gjyqësore dhe dosjeve hetimore, rezulton se në disa raste dokumentimi i vendngjarjes nuk pasqyron plotësisht realitetin e terrenit.
“Tani akti i ekspertimit sipas ligjit është një provë si të gjitha provat e tjera që mblidhen në një dosje, dhe thuhet se nuk ka një vlerë determinante. Por në fakt ajo është vlera determinante. Sepse çfarë do të thotë një gjyqtar apo një prokuror, kur një ekspert apo një grup ekspertësh përcaktojnë që fajësia është e këtij personi”, u shpreh Gedeon Dudushi.
“Gjykimet e çështjeve të aksidenteve rrugore, përbëjnë çështjet më të vështira për gjykatën pikërisht për shkak të pasojave njerëzore që kanë këto raste. Nga njëra anë është humbja e jetës së personit dhe dhimbja e familjarëve që duhet thënë nuk mund të zhbëhet tërësisht në asnjë vendim gjyqësor, por nga ana tjetër gjykata ka detyrimin që të vlerësojë çështjen me objektivitet duke u bazuar në ligjin e zbatueshëm” ,u shpreh gjyqtari, Xhuljo Doku.
Por, problemi më i ndjeshëm në hetimin e vdekjeve nga aksidentet shfaqet më vonë: kur e njëjta ngjarje analizohet nga ekspertë të ndryshëm dhe prodhon përfundime të ndryshme.
Në disa dosje, mbi të njëjtat prova kryhen disa ekspertiza që nuk përputhen me njëra-tjetrën, duke ndryshuar edhe përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve.
Një rast konkret e ilustron qartë këtë problematikë.
Më 19 gusht të vitit 2025 u përfshinë në një aksident Albert Agaj, i cili drejtonte një Ford Fiesta, dhe një motor BMË me drejtues shtetasin Gazment Gropa.
Sipas dosjes hetimore, në ekspertizën e parë autoteknike përfundimi është i prerë: drejtuesi i Ford Fiesta nuk ka kryer asnjë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në akt thuhet: “Nga Albert Agaj nuk ka shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.”
Përkundrazi, përgjegjësia i atribuohet drejtuesit të motorit, i cili sipas ekspertëve ka qarkulluar me shpejtësi rreth 110–120 km/h, nuk ka respektuar distancën e sigurisë dhe nuk ka mundur të kontrollojë mjetin në kohë.
Në këtë fazë, tabloja është e qartë: motori paraqitet si shkaktari i aksidentit.
Por situata ndryshon rrënjësisht më vonë.
Familjarët kundërshtojnë ekspertizën dhe dorëzojnë në prokurori pamje filmike të aksidentit. Ky element rezulton vendimtar, pasi sjell një rishikim të plotë të ngjarjes.
Në ekspertizën e dytë, nga analiza e videos, del një fakt që nuk ishte evidentuar më parë: Ford Fiesta nuk qëndron në korsinë e tij, por kryen një manovër kthimi majtas për të hyrë në një rrugë dytësore, në momentin kur motori po afrohej.
Kjo ndryshon krejt interpretimin e aksidentit….
“Përsa i përket kamerave pastaj është një nga elementët më të rëndësishëm që duhet të ndodhë që policia duhet të ketë prioritare marrjen e kamerave, dhe të marri kamerën jo vetëm në momentin e ndodhjes së aksidentit, por në një plan edhe më të gjerë se si është sjellje e këtij drejtuesi mjeti, edhe në një spektër më të gjerë. Sepse nga ajo ti kupton edhe sesi ai ka vazhduar të lëvizë në rrugë”, u shpreh gjyqtari, Xhuljo Doku.
Ekspertiza e dytë arrin në përfundimin se drejtuesi i Ford Fiesta ka kryer disa shkelje të rënda: ka shkelur sinjalistikën horizontale, ka kryer manovër të ndaluar dhe nuk i ka dhënë përparësi mjeteve që vijnë përballë. Pra, nga një drejtues pa shkelje në ekspertizën e parë, ai rezulton shkaktari i aksidentit.
Më tej, ekspertët analizojnë dinamikën në sekonda: nga hyrja në korsinë e kundërt deri në përplasje kalojnë vetëm rreth 1.5 sekonda, ndërsa motori ndodhej afërsisht 50 metra larg.
Në llogaritjet e frenimit, ata theksojnë se edhe nëse motori do të kishte qenë brenda kufijve të shpejtësisë, distanca nuk do të mjaftonte për shmangien e përplasjes.
Kjo bëhet baza mbi të cilën prokuroria arrin në përfundimin se përgjegjësia bie mbi drejtuesin e Ford Fiesta, pasi manovra e tij është faktori vendimtar i aksidentit.
Ky rast ngre një problem më të madh se vetë ngjarja.
Si është e mundur që mbi të njëjtat prova, të njëjtin vend aksidenti dhe të njëjtat mjete, të arrihen dy përfundime krejtësisht të kundërta?
Në një version, një drejtues rezulton i pafajshëm. Në tjetrin, i njëjti drejtues del shkaktar i aksidentit fatal.
A munguan prova në momentin e parë? A u dokumentua në mënyrë të paplotë vendngjarja? Apo pamjet filmike zbuluan elemente që ndryshuan interpretimin e ngjarjes? Praktikisht, ekspertiza përcakton fajtorin e për pasojë, përgjegjësinë penale. Nisur nga praktikat nëpër gjykata, ekzistenca e disa akteve që rrëzojnë njëri tjetrin për të njëjtën ngjarje, është tregues i qartë i një skeme të madhe korruptive që përdoret nga vrasësit në timon për ti ikur përgjegjësive…
“Ajo që çedon momentalisht, është mungesa e theksuar e ekspertëve profesionistë të licensuar që të jenë më të shumtë në numër, dhe aktin e ekspertimit ta bëjnë në çast, mos ta bëjnë në periudhën hetimore, sepse do të kishte një reagim më të shpejtë, mund të kishim një fajësi direkte, mund të kishim një riespektim të rrugës nga ekspertë të specializuar”, u shpreh avokati Bledar Meminaj.
“Për familjarët e viktimave të aksidenteve rrugore humbja është e madhe dhe e parikuperueshme, prandaj kërkohet që hetimi paraprak dhe gjykimi penal për këto raste të jetë i shpejtë dhe me efiktivitet, në mënyrë që drejtësia për ngjarje të tilla të rënda të mos vonoj”, u shpreh gjyqtari, Xhuljo Doku.
Top Channel