Shtyhet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, PS dhe Rithemelimi ende pa konsensus për objektin e komisioneve hetimore

13/03/2024 11:29

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e cila ishte planifikuar të mbahej këtë të mërkurë është shtyrë.

Para hyrjes në mbledhjen e PD, deputeti Gazment Bardhi tha se duhet të pyetet Kuvendi për arsyet e kësaj shtyrjeje.

Ndërkohë, sipas gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, arsyeja e kësaj shtyrje është se ende nuk është arritur dakordësia për objektin e hetimit të dy komisioneve hetimore.

Kujtojmë se një ditë më parë, në Konferencën e Kryetarëve u arrit dakordësia për Komisionet Hetimore.

Mazhoranca u tërhoq nga vendimet e datës 12 Tetor 2023 për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat koncesionare në s
Shëndetësi dhe për komisionin hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në sistemin TIMS. Në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord që Opozita të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023.

U vendos në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme, që ishin edhe shkaku i nisjes së aksionit të opozitës në Kuvend që nga 19 tetori i vitit 2023 e deri më sot.

Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakortësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave.

Palët kanë rënë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 cakton Çuçi – 2 cakton Bardhi).

Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.

Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

Kujtojmë këtu që Komisionit të Reformës Zgjedhore i skadon afati më 21 Mars 2024, ku bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Alibeaj kanë dështuar deri më tani të kenë produkt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA