Me tingujt e 21 kitareve që luanin njëherazi në zonën këmbësore serenatat aq të njohura dhe të dashura, Korça riktheu në vëmendje një prej traditave më të bukura të saj.
Mbi tela, duart e profesionistëve dhe amatorëve u bashkuan për të luajtur të njëjtat melodi si asnjëherë më parë duke sjellë një repertor të zgjedhur me kujdes që për korçarët do të thonë nostalgji, ndërsa për ata që i dëgjojnë për herë të parë janë një emocion ndryshe.
Teksa atmosfera festive e fundvitit në qytetin e serenatave dhe rrugicave të kalldrëmta ndjehet prej ditësh, 21 kitarat janë përzgjedhur si simbolika më e bukur për të përcjellë urimet nga Korça.
“Sot fillon festa e vërtetë me artistët. E nisim me traditën me historinë tonë dhe jo pa qëllim sepse ju e dini që kitara është simboli i Korçës. Për herë të parë jo vetëm në Korçë por në të gjithë Shqipërinë kemi 21 kitara që shpresojmë që nga viti në vit të bëhen 50, 100,200 pra ta ruajmë fort këtë traditë të jashtëzakonshme që ne kemi. Më pas kemi bandën e qytetit dhe ansamblin tradicional Skënderbeu dhe nga sot e deri në datën 3 janar Korça do të jetë një festë e jashtëzakonshme. Janë materiale të zgjedhura nga repertori i Korit Lira, janë melodi të krijuara nga të parët tanë dhe kryesisht janë melodi tradicionale tonat. Ajo që është e veçantë është se janë grupmosha të ndryshme por edhe profesione të ndryshme, janë mësues, nxënës, dikush nuk ka lidhje fare me muzikën por i bie kitarës, sepse ky është dhe qëllimi. Mjafton të jesh në Korçë të kesh një kitarë dhe mund t’i bjerë çdo njeri, një pjesë janë amatorë një pjesë janë profesionistë”- tha Blerta Belliu, drejtore e QAK.
Të rinjtë pjesë e këtij aktiviteti tregojnë se kitara është një instrument i dashur për ta që lidhet me identitetin e qytetit të tyre
“Kam 4 vjet që luaj në kitarë dhe duket një instrument shumë i bukur dhe një traditë e bukur për Korçën. Unë studioj në shkollën e muzikës dhe e kam pasion kitarën. Kitara është kulturë për mua pasi jam dhe korçare dhe Korça njihet për serenatat. Kam 5 vite që luaj dhe jam shumë krenare që kam zgjedhur këtë vegël dhe vazhdoj të tregoj që Korça ende ka artistë. Nuk jam profesioniste por shpresoj të vazhdoj të mësoj dhe të luaj. Jam e para në familje që luaj kitarë dhe shpresoj që edhe fëmijët e mi ta bëjnë”- tha Belliu.
Kitara dhe serenata janë dëshmia e trashëgimisë artistike të Korçës që brezat e kanë ruajtur me dashuri.
Top Channel