Mbretëria e Bashkuar po dridhet/ Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut kërkojnë referendum: E ardhmja jonë është në BE
Një kronologji dixhitale e detajuar e funksionimit të makinës së plazmaferezës është tashmë në dispozicion të Policisë Helenike, e cila po heton rrethanat e vdekjes së këngëtarit Giorgos Mazonakis.
Të dhënat e regjistruara nga aparatura hedhin dritë mbi lëvizjet kritike gjatë procedurës, që nga përgatitja e makinës, fillimi i shkëmbimit të gjakut, ndërprerja e trajtimit, alarmet e njëpasnjëshme dhe përpjekja për rinisjen e aparatit.
Sipas hetimit të Policisë Helenike dhe informacionit të publikuar nga protothema.gr, makina u aktivizua në orën 14:14, por në atë moment nuk kishte nisur ende shkëmbimi i gjakut me pacientin.
Ndërkohë, sipas të dhënave të mbledhura nga policia dhe dëshmisë së shoferit të taksisë që transportoi këngëtarin, Mazonakis dyshohet se kishte mbërritur në klinikë rreth orës 13:50-14:00.
Nëntë minuta pas aktivizimit të aparatit, në orën 14:23, u regjistrua alarmi i parë i sistemit. Sipas vlerësimit të hetuesve, një sinjal i tillë mund të lidhet me një problem në tubacione, siç mund të jetë përdredhja e një tubi, ose me një ndryshim në presionin e pacientit.
Në orën 14:37 nis procedura e vërtetë e shkëmbimit të gjakut. Kjo orë konsiderohet një element objektiv i rëndësishëm për hetimin, pasi përcakton kohën kur filloi trajtimi dhe do të krahasohet me pamjet e kamerave, fotografitë, dëshmitë dhe të dhënat e tjera elektronike.
Pika më kritike e kronologjisë regjistrohet në orën 15:22, kur makina ndalon procesin e shkëmbimit të gjakut.
Nga ky moment, sistemi nis të regjistrojë një seri alarmesh, të cilat janë bërë pjesë e rëndësishme e hetimit. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se çfarë i kishte ndodhur pacientit në atë moment dhe cilat ishin veprimet e stafit mjekësor.
Deri në orën 15:45, makina regjistron edhe tre alarme të tjera. Sipas të dhënave që po shqyrtohen nga hetuesit, këto alarme shoqërohen me mungesën e rrahjeve të zemrës.
Një tjetër element që po shqyrtohet me vëmendje është ajo që ndodhi në orën 15:45. Pas alarmeve të përsëritura, aparatit iu dha sërish komanda për të nisur punën. Megjithatë, makina u ndal menjëherë vetë pas tentativës për rinisje.
Pikërisht kjo gjurmë dixhitale po analizohet nga autoritetet, të cilat kërkojnë të përcaktojnë se çfarë sinjalizonte aparati në atë moment dhe përse procedura nuk mundi të vazhdonte.
Kronologjia e plotë
14:14 – Aktivizohet makina e plazmaferezës, pa nisur ende shkëmbimi i gjakut.
14:23 – Regjistrohet alarmi i parë i sistemit.
14:37 – Nis shkëmbimi i gjakut dhe fillon faza kryesore e trajtimit.
15:22 – Regjistrohet ndërprerja e parë e trajtimit.
15:22-15:45 – Makina regjistron tre alarme të tjera, të cilat, sipas të dhënave të hetimit, shoqërohen me mungesën e rrahjeve të zemrës.
15:45 – Bëhet një përpjekje për të rinisur aparatin.
Menjëherë pas 15:45 – Makina ndalet vetë pothuajse menjëherë pas rinisjes.
16:11 – Thirret urgjenca.
Kështu, nga ndërprerja e parë e trajtimit në 15:22 deri në thirrjen për ndihmë emergjente në 16:11, kalojnë 49 minuta. Gjatë kësaj periudhe, aparatura regjistron alarmet e përsëritura dhe një përpjekje të dështuar për rinisjen e saj.
Kjo kronologji dixhitale tashmë po krahasohet nga autoritetet me të gjitha provat e tjera të mbledhura në kuadër të hetimit, për të përcaktuar se kur ndodhi përkeqësimi i gjendjes së Mazonakis dhe çfarë veprimesh u ndërmorën në klinikë.
Top Channel