Shqiptarët janë, ose më saktë kanë qenë ndër konsumatorët më të mëdhenj të bukës në Ballkan dhe Europë.

E bëra këtë korrigjim, nisur nga shifrat e fundit të Institutit të Statistikave INSTAT, sipas të cilave, konsumi i bukës në Shqipëri po vjen duke rënë nga viti në vit.

Në 8 muaj të 2023-shit, u importuan 16% më pak drithëra krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Në pamje të parë buka dhe objekti i valixhes nuk kanë lidhje, por operatorët e tregut thonë se një nga faktorët që ka ndikuar në rënien e konsumit të bukës në vend është emigrimi masiv i të rinjve, që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të brumrave në vend.

“Para 5 vitesh tek ne harxhohej 1100 ton miell në një ditë, në rang vendi, ndërsa sot harxhohen rreth 900 ton, pra gati 200 ton më pak. Shkaqet janë së pari largimi masiv I të rinjve nga vendi, së dyti është ulur norma e konsumit për bukë, dhe së treti janë futur shumë produktë që kanë zëvendësuar bukën për vaktin e mëngjesit si kroasanti, byreku i vogël, sanduiçi etj…. Ndikim kanë edhe nutricionistët. Duke dëgjuar disa prej tyre që nuk janë profesionistë, buka sikur është vënë nën hetim, nëse do ta shprehnim kështu. Ata thonë që po hëngre 2 feta buke, shëndoshesh pastaj. Por buka ka qenë dhe mbetet ushqim bazë në gjithë botën.

Edhe pjesë aziatike që nuk e hanin bukën, tani kanë nisur ta konsumojnë. Buka ka elementin kryesor që është hekuri. Njerëz në zona rurale veçanërisht nuk kanë mundësi të hanë përditë mish. Hekuri është shumë i rëndësishëm për mirërritjen e fëmijve veçanërisht. Buka ka gjithashtu mbi 12% proteina.  Mund të marrësh ç’të duash, por pa bukë nuk bën dot, është e pazëvendësueshme. Në kohën e komunizmit konsumi ishte 550-700 gramë bukë në ditë për frymë. Ndërsa sot shkon 200-300 gramë norma ditore e konsumit”, tha ish drejtori i Fabrikës Shtetërore të Bukës, Hysen Caka.

Top Channel