“Ne e fituam luftën në Iran”, Trump provokon aleatët europianë: Nuk kishim nevojë për mbështetjen e tyre
Gati një e treta e deputetëve gjermanë dëshironte fund të misionit, AfD dhe E Majta kundër
Prej 27 vitesh, Bundestagu gjerman voton çdo vit për zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it nëKFOR. Të enjten, 11 qershor, e rinovoi sërish: 383 pro, 192 kundër, dy abstenim. Mandati i ri lejon dërgimin e deri në 400 ushtarë. Kostot shtesë: 35.7 milionë euro. Baza ligjore mbetet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, miratuar në 1999. KFOR është misioni më i gjatë i pandërprerë i Bundeswehr-it jashtë Gjermanisë.
CDU/CSU, SPD dhe Të Gjelbrit pro
CDU/CSU, SPD dhe Të Gjelbrit votuan pro. Situata është e qetë — por jo e sigurt, thanë folësit e këtyre partive, duke përmendur marrëdhëniet e panormalizuara me Serbinë, pikëpyetjen rreth angazhimit afatgjatë të SHBA-së dhe ngërçin politik të krijuar prej kohësh nga mungesa e konsensusit për postin e presidentit.
Deputeti i CDU-së Jürgen Hardt bëri thirrje: Kosova duhet të formojë qeveri dhe të zgjedhë sa më parë president — pa shumicë parlamentare, nuk mund të realizohet as afrimi me BE e as anëtarësimi në Këshill të Evropës. Për marrëdhëniet me Serbinë, Hardt tha se zgjidhja duhet të vijë „diplomatikisht, paqësisht — dhe ndoshta edhe me një marrëveshje të re.”
Socialdemokrati Macit Karaahmetoğlu nguli këmbë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, të iniciuar nga kancelari i mëparshëm Olaf Scholz. Marrëveshja pothuajse nuk po zbatohet. Sulmet paramilitare në veri nuk janë zbardhur nga drejtësia. Dhe SHBA-ja ka lënë të hapur angazhimin e saj afatgjatë. Pikërisht në këtë kontekst, tha ai, „një sinjal tërheqjeje do të ishte shenjë fatale dhe e gabuar.”
Mijatović për Serbinë: “Kapeni hajdutin!”
Boris Mijatović nga Të Gjelbrit nisi me lajmin e mirë: „Zgjedhjet ishin të drejta, të lira dhe pa incidente.” Por paralajmëroi menjëherë: „Qetësia në shumë raste është mashtruese.” Ai solli si shembull sulmin e Banjskës të vitit 2023 — një nga incidentet më të rënda në veri të Kosovës. Paramilitarë serbë sulmuan një manastir serb — me qëllim që kamera ta filmonte si sulm të forcave kosovare ndaj një objekti ortodoks. „Duhet të pyesim me seriozitet kush është mik dhe kush armik — dhe me çfarë mjetesh tinëzare operojnë”, tha Mijatović. Udhëheqësi i grupit vazhdon të jetë i lirë në Serbi. „Kapeni hajdutin!” Në fund, Mijatović bëri thirrje direkt qeverisë gjermane: „Luftoni me vendosmëri për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Kjo do t’u ndihmonte shumë njerëzve.”
AfD: Kurti është „populist pan-shqiptar dhe nxitës sherri”
192 deputetë votuan kundër — por për arsye të kundërta. Partia nacionaliste Alternativa për Gjermaninë (AfD) kërkoi mbarimin e misionit. Dr. Alexander Wolf tha se „Kosova konsiderohet gjerësisht shtet i dështuar.” Kryeministrin Albin Kurti e quajti „populist pan-shqiptar dhe nxitës sherri” — dhe akuzoi qeverinë gjermane se po lejon veten të shfrytëzohet prej tij. „35 milionë eurot e parashikuara për KFOR do të kishin përdorim shumë më të mirë për qytetarët tanë këtu në Gjermani”, tha ai.
E Majta votoi gjithashtu kundër — por nga një kënd tjetër. Deputetja Can Özdemir njohu historinë: „Popullsia shqiptare e Kosovës kishte pësuar diskriminim masiv, privim të të drejtave dhe represion.” Por konkludoi: „Përvojat e 25 viteve të fundit tregojnë qartë se ndërhyrjet ushtarake nuk mund të krijojnë paqe të qëndrueshme.” Dhe shtoi: „Iniciativat e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe takimet ndërkufitare bëjnë më shumë për mirëkuptim sesa prania ushtarake.”
/DW
Top Channel