Trafik droge në Spanjë e Greqi/ Sekuestrohen pronat dhe 2 makinat e Donald Lavdarit, në shënjestër të OFL-së që në vitin 2020

21/11/2026 12:30

Prokuroria e Beratit ka sekuestruar 12 pasuri të paluajtshme dhe dy automjete Mercedes-Benz të Donald Lavdarit dhe familjarëve të tij, nën dyshimin se janë përfituar nga të ardhurat e trafikimit të lëndëve narkotike në Spanjë dhe Greqi. Lavdari ishte një nga personat të cilëve Operacioni Forca e Ligjit (OFL) u kërkoi të justifikonin burimet e pasurisë në shkurt të vitit 2020.

Mes pasurive të sekuestruara është një apartament me sipërfaqe 66 metra katrorë në Skrapar, 11 zëra të tjerë pasurish të paluajtshme, si dhe dy automjete Mercedes-Benz, njëri prej tyre i modelit E270 CDI. Prokuroria nuk specifikon llojin e të gjitha pronave, ndërsa disa regjistrime mund t’i referohen së njëjtës pasuri.

Sekuestrimi është kryer me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, në kuadër të hetimeve për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, Lavdari është hetuar dhe dënuar nga autoritetet e drejtësisë në Spanjë dhe Greqi për trafikim të lëndëve narkotike. Ai ndodhet në Spanjë që prej vitit 2017, ku, sipas informacioneve të Prokurorisë, rezulton i ndaluar nga autoritetet spanjolle për këtë veprimtari kriminale.

Nga hetimet e nisura në vitin 2018, Prokuroria dyshon se të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal janë investuar në Shqipëri, kryesisht në qytetin e Poliçanit, ku Lavdari ka vendbanimin.

Sipas organit të akuzës, investimet përfshijnë blerjen e dyqaneve, apartamenteve për vete dhe familjarët, si dhe automjeteve të markave të ndryshme. Lavdari disponon gjithashtu aktivitete private në fushën e tregtisë ushqimore, bar-kafeve dhe ushqimit të shpejtë.

Donald Lavdari kishte qenë në shënjestër të Operacionit Forca e Ligjit edhe më 1 qershor 2020, kur OFL i kërkoi të justifikonte burimet e pasurisë së tij. Në atë kohë, OFL e identifikonte Lavdarin si banues në Poliçan dhe në ndjekje gjyqësore nga autoritetet spanjolle për veprën penale të përdorimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Lavdari ishte një nga katër personat të cilëve OFL u kërkoi të justifikonin pasuritë, së bashku me Myrteza Toton, Edison Begën dhe Aleks Priftin. Sipas njoftimit të asaj kohe, ata kishin detyrimin t’u përgjigjeshin me shkrim brenda 48 orësh pyetjeve të OFL-së, ndërsa përgjigjet do t’i dërgoheshin SPAK-ut për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, nga analiza financiare e kryer nga Prokuroria e Beratit për periudhën 2005–2016 ka rezultuar se të ardhurat dhe burimet financiare të dokumentuara të Lavdarit dhe familjarëve të tij nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe investimet e evidentuara.

 

 

 

Top Channel