I dënuar për trafik droge në Spanjë e Greqi, Prokuroria e Beratit i sekuestron 12 pasuri të paluajtshme dhe 2 makina
Rama mblodhi këtë të shtunë Asamblenë e PS së Tiranës në kuadër të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2027 për bashkinë e kryeqytetit.
Në fjalën e tij, Rama prezantoi “Tirana 2030”, duke shtuar se kryeqyteti duhet të shndërrohet në një qytet me cilësi më të lartë jetese, ku qytetarët të kenë strehim, ujë 24 orë, transport urban cilësor dhe shërbime funksionale.
Kryetari i Partisë Socialiste theksoi se bashkia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të shihet thjesht si një institucion që mbledh taksa dhe vendos tarifa.
Fjala e Edi Ramës:
Tjetra që është e rëndësishme të mos e harrojmë është pse kalon nga kjo parti rruga e vetme e fuqizimit diplomatik e Shqipërisë. Sepse dikur Shqipëria, dhe jo para 100 vitesh, por edhe në vitet e para që unë e përfaqësoja Shqipërinë me ministrat e tjerë, ishte një vend që lutej për t’u dëgjuar dhe që ndahej nga tryezat me ndjesinë e një shpërfilljeje ofenduese. Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte pse ishte aq larg Europës. Dikur Shqipëria ulej formalisht nëpër tryeza, por zërin e saj e dëgjonin si zërin e një mize në qyp.
Sot Shqipëria negocion kushtet për t’u bërë pjesë e BE-së dhe ka objektivin shumë ambicioz që t’i mbyllë kapitujt në 2027. Të garantojë hyrjen në BE brenda këtij mandati, është mandati i PS-së së Shqipërisë.
Prandaj, nga kjo parti kalon dhe rruga e vetme e Tiranës së nesërme. Tirana 2030 në BE. E dinë të gjithë, edhe ata që bëjnë sikur nuk e dinë, për arsye që kanë qenë shumë të rinj dhe nuk mund ta dinë, se në çfarë humnerë e nxorëm Tiranën.
Por pikërisht pse kemi bërë kaq shumë, ne duhet të jemi shumë më pak tolerantë ndaj gjërave që nuk bëhen mirë dhe atyre që mungojnë. Sot qytetarët e krahasojnë Tiranën jo më me atë që ishte, por me qytetet e Europës. E kjo është fitorja jonë më e madhe, se e kemi sjellë ne Tiranën në këtë pikë, por është dhe sfida jonë më e madhe.
Tani njerëzit nuk na presin dot, por jemi ne që duhet të vrapojmë me shpejtësinë e pritshmërive të tyre. Qytetarët e Tiranës jetojnë me rrugën ku dalin në mëngjes, me autobusin që presin, me çerdhen që e kanë larg apo që nuk e kanë fare. Me trotuarin ku ecin dhe jo me gjëra të tjera.
Ne Tiranën e transformuam nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet orë e çast cilësi më e mirë jete. Ne duhet t’ua bëjmë të dukshme njerëzve, të imagjinueshme pa vështirësi, Tiranën ku një çift i ri gjen shtëpi, Tiranën ku një i moshuar ecën në trotuar i papenguar.
Tiranën ku uji 24 orë nuk është vetëm në një pjesë të konsiderueshme të saj, por në çdo cep të saj. Aty ku mbeturinat nuk janë hall. Transporti urban nuk është një dhimbje koke. Kjo është Tirana 2030.
Tirana 2030, ku shtëpitë e vjetra në rrezik nuk bëhen pallat, por muze. Ku Bashkia nuk sillet me qytetarin si një taksambledhës që shpik tarifa të reja. Kjo nuk është një kritikë, por një autokritikë për të gjitha bashkitë.
Në fund dua t’ju ftoj ta shikoni pak rrugën e Durrësit, semaforët e shkatërruar, trotuaret e shkulura, kangjellat e shkulura dhe të zhdukura. Gjurmët e dhunës mbi trupin e rrugës. Ajo ishte Tirana që morëm ne, jo vetëm në rrugën e Durrësit, por në të gjithë hapësirën e saj. Rruga e Durrësit sot është një mundësi për të gjithë ata që nuk e mbajnë mend Tiranën e asaj kohe, për t’u kthyer në një film, për të ecur në të, edhe pemët i kemi mbjellë ne, për të parë se çfarë ndryshimi i madh ka ndodhur në Tiranë. Atë rikthim në kohë e kanë bërë të mundur ata që e lanë ashtu Tiranën në atë kohë. Ata që kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë, e kanë lënë të lëngojë. Kur ne u përpoqëm ta ndryshojmë, nuk kanë lënë gjë pa bërë që ta pengojnë.
Prandaj organizimi që nisim sot nuk është vetëm për të fituar zgjedhjet, por për të garantuar Tiranën dhe Shqipërinë për atë që vjen, jo në një mandat, por në 10 vitet e ardhshme.
Ne kemi nevojë për një Parti Socialiste më të organizuar dhe Tiranën më të pranishme, në lagje, në rrugë, në shkallët e pallateve, në jetën e përditshme të njerëzve. Më të pranishme jo vetëm aty ku kemi mbështetje, por edhe aty ku kemi humbur besimin. Të jemi të pranishëm edhe aty ku na shajnë.
Top Channel