Operacioni i Veliajt/ Avokati Ndreca kërkon ndërhyrje në një spital privat në Tiranë, në pritje të vendimit të GJKKO-së
Prokuroria e Beratit ka sekuestruar 12 pasuri të paluajtshme dhe dy automjete Mercedes-Benz në pronësi të shtetasit D.L. dhe familjarëve të tij, nën dyshimin se janë përfituar nga të ardhurat e trafikimit të lëndëve narkotike në Spanjë dhe Greqi.
Mes pasurive të sekuestruara është një apartament me sipërfaqe 66 metra katrorë në Skrapar, 11 zëra të tjerë pasurish të paluajtshme, si dhe dy automjete Mercedes-Benz, njëri prej tyre i modelit E270 CDI. Sekuestrimi është kryer me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, në kuadër të hetimeve për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, D.L. është hetuar dhe dënuar nga autoritetet e drejtësisë në Spanjë dhe Greqi për trafikim të lëndëve narkotike. Ai ndodhet në Spanjë që prej vitit 2017, ku, sipas informacioneve të Prokurorisë, rezulton i ndaluar nga autoritetet spanjolle për këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet e nisura në vitin 2018, Prokuroria dyshon se të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal janë investuar në Shqipëri, kryesisht në qytetin e Poliçanit, ku D.L. ka vendbanimin.
Sipas organit të akuzës, investimet përfshijnë blerjen e dyqaneve, apartamenteve për vete dhe familjarët, si dhe automjeteve të markave të ndryshme. D.L. disponon gjithashtu aktivitete private në fushën e tregtisë ushqimore, bar-kafeve dhe ushqimit të shpejtë.
Analiza financiare për periudhën 2005–2016 ka treguar se të ardhurat dhe burimet financiare të dokumentuara të D.L. dhe familjarëve të tij nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe investimet e evidentuara.
Top Channel