Shqipëria, më pak grurë e misër/ Tkurren sipërfaqet e mbjella në fushat e Semanit, fermerët: Kostot të papërballueshme

11/06/2026 12:36

Në fushat e Semanit ne Fier ka nisur korrja e grurit, por ndryshe nga dikur, sipërfaqet e mbjella me drithëra po tkurren nga viti në vit.

Zona që njihej si një nga hambarët kryesorë të Myzeqesë po përballet me rënie të ndjeshme të kultivimit të grurit dhe misrit.

Sipas të dhënave nga njesia administrative, këtë vit në Seman janë mbjellë vetëm 400 hektarë me grurë, rreth 180 hektarë më pak se një vit më parë. Edhe sipërfaqet e mbjella me misër kanë pësuar ulje, me mbi 150 hektarë më pak krahasuar me vitin e kaluar.

Në total, më shumë se 320 hektarë tokë janë larguar nga prodhimi i drithërave. Fermerët thonë se arsyet kryesore janë kostot e larta të prodhimit, cilësia e dobët e plehrave kimike, çmimi i lartë i naftës dhe mungesa e tregut për shitjen e prodhimit vendas.

“Semanin dikur e quanin hambari i Myzeqesë, por sot realiteti është krejt ndryshe. Të rinjtë janë larguar, tokat po mbillen me jonxhë ose po jepen me qira për blegtori. Varfëria është ulur këmbëkryq në këtë zonë”, tha një fermer.

Të tjerë fermerë tregojnë se sipërfaqet me grurë kanë rënë pothuajse përgjysmë, pasi mungojnë pikat e grumbullimit dhe fabrikat e miellit po marrin gjithnjë e më pak prodhim vendas.

Sipas tyre, kostot janë të papërballueshme: një kuintal ure kushton rreth 80 mijë lekë, ndërsa një kuintal grurë shitet me vetëm 25 mijë lekë.

“Për të mbjellë një dynym grurë duhen rreth 150 mijë lekë shpenzime. Pa plehra dhe punime nuk ka rendiment, por prodhimi nuk e justifikon koston. Njerëzit e kanë më leverdi të blejnë bukën sesa të mbjellin tokën”, u shpreh fermeri.

Banorët dhe fermerët e Semanit kërkojnë ndërhyrje nga shteti përmes subvencioneve dhe ngritjes së pikave të grumbullimit, duke paralajmëruar se nëse situata vazhdon me këto ritme, gjithnjë e më shumë toka bujqësore do të mbeten djerrë.

Top Channel