Gjithmonë e më shumë njerëz po e kalojnë kohën në rrjetet sociale.

Varësia ndaj tyre po kthehet në shqetësim kudo, e madje në SHBA kanë nisur dhe proceset e para gjyqësore kundër Facebookut. Llogaritet që vetëm në Gjermani mbi gjashtë përqind e fëmijëve dhe të rinjve janë të varur nga këto media.  Një studim i publikuar këtë vit, realizuar nga ndërmarrja e sigurimeve shoqërore, DAK, dilte në përfundimin se ky problem ka prekur mbi 600 mijë djem dhe vajza. Por konsumi i mediave sociale rezulton problematik edhe për më shumë se dy milionë të rritur në vend.

Ata kalojnë tre deri katër orë çdo ditë para një ekrani, shumë më tepër se periudha përpara pandemisë së koronavirusit.  Në rrjetet sociale, thotë Tobias Dienlin, profesor për komunikimin interaktiv në Universitetin e Vjenës, ka shumë përmbajtje të kota, por ka edhe përmbajtje prej të cilave përfitojmë. Dhe njeriu mund t’i përdorë mediat sociale në mënyra të ndryshme.

Për sa kohë kjo bëhet me masë, çdo gjë është në rregull. Problemi fillon kur kalohet masa, shprehet ai, dhe për disa konsumatorë kjo gjë kthehet në varësi.  Deri tani nuk ka pasur ndonjë përkufizim mjekësor për varësinë nga mediat sociale. “Por meqenëse nuk ekziston diagnoza, nuk do të thotë se fenomeni nuk ekziston,” thotë Dienlin. Kur përdorimi i mediave bëhet aq i tepruar, saqë njeriu nuk arrin të bëjë punët e tjera të rëndësishme, kur njeriu vetë do që të përdorë më pak mediat sociale, por nuk është në gjendje ta bëjë këtë, kur marrëdhëniet sociale lihen pas dore, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me varësi, thotë studiuesi.

Në SHBA ndërkohë qindra familje kanë bërë bashkë një akuzë kundër katër koncerneve më të mëdhenj të teknologjisë së informacionit: Ata akuzojnë koncernin mëmë të Facebookut, Meta, prodhuesin kinez të Tik-Tokut, ByteDance, ndërmarrjen përgjegjëse për YouTube, Alphabet und Snap, dhe prodhuesin e Messengerit, Snapchat, se jo vetëm që nuk e kanë marrë parasysh krijimin e varësisë nga mediat sociale të fëmijëve të tyre, por e kanë nxitur atë madje në mënyrë aktive. Shumë rrethe shkollore amerikane i janë bashkangjitur akuzës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA