Nga Hollywoodi në Shkodër, historia e amerikanes Midian Crosby që ka gjetur në Shqipëri pasionin për gatimin

13/09/2026 20:24

Për 22 vite, duart e saj krijuan personazhe që u shfaqën në ekranet e kinemasë botërore. Midian Crosby ka punuar për më shumë se dy dekada si artiste e grimit për efekte speciale në Hollywood.

Por sot, larg seteve të filmave dhe efekteve speciale, ajo ka zgjedhur një tjetër ritëm jete. Në Shkodër, qytetin që thotë se e ndjeu si shtëpi që në ditët e para, amerikania ka lënë pas profesionin e saj dhe i është përkushtuar një tjetër pasioni, gatimit.

Crosby tregon se vendimi për t’u vendosur në Shkodër ishte pothuajse i menjëhershëm.

E kuptova që në ditën e dytë në Shkodër se kjo do të ishte shtëpia ime. Fillimisht u ndala në Tiranë. Është shumë e bukur, shumë e madhe dhe e zhurmshme, por ishte shumë për mua. Doja një vend të qetë, me më shumë natyrë. Pas dy ditësh në Shkodër e kuptova dhe menjëherë firmosa kontratën e shtëpisë. Është si Koloradoja, ku kam lindur. Ka natyrë të bukur dhe njerëz shumë miqësorë e të vërtetë”, u shpreh Midian Crosby.

Në fillim, klientët që kishte në mendje ishin kryesisht të huajt që vizitojnë Shkodrën.Por duket se gatimet e saj kanë gjetur shpejt vend edhe në shijet e shkodranëve.

“Po shkon shumë mirë. Kam marrë 5 yje si vlerësim në Google dhe klientët po e vlerësojnë gatimin tim. Po mundohem të përmirësohem çdo ditë. Të gjithë i duan dumplings, edhe shqiptarët madje. Është një gatim universal që sjell pak Azi në Shkodër”, tha Midian Crosby.

Dhe qyteti nuk i ka ofruar vetëm një vend për të jetuar e punuar. Crosby tashmë është bërë pjesë edhe e jetës kulturore të Shkodrës. Për të, një prej momenteve më të veçanta ishte rikthimi, qoftë edhe për pak çaste, tek bota e filmit.

Kemi një kinema fantastike këtu dhe kur u shfaq ‘Scary Movie 6’ në Shkodër, filmi i fundit që kam punuar përpara se të tërhiqesha, më ftuan në një event festiv ku unë punova për makeup-in e njerëzve, të cilët i transformova në personazhe filmash. Kontratën dhe lejeqëndrimin në Shkodër e kam për tre vite, por jam e sigurt se do ta zgjas për më gjatë”, tha Midian Crosby.

Edhe mbetjet e ushqimeve që përgatit nuk shkojnë dëm. Crosby i ruan për strehën e kafshëve endacake në Shkodër, ku kontribuon edhe si vullnetare.

Top Channel