Ndonëse ka një diplomë në inxhinieri, Svetlana Shichkova nga Shën Petërburgu i Rusisë kërkon të shkojë përtej përvojës së saj profesionale.
E vendosur në Shqipëri pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, ajo ka parë nga afër zhvillimin e vrullshëm të turizmit në Durrës. E joshur nga kultura shqiptare dhe interesi në rritje i të huajve për të, Svetlana është paraqitur pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” për t’u informuar mbi programet e studimit në degën e turizmit.
Interesi i saj për turizmin dhe studimet në Durrës përkon me një prirje më të gjerë në këtë prag të vitit të ri akademik.
Sipas rektorit të universitetit Shkëlqim Fortuzi, janë dhjetra studentë të huaj nga Evropa, Amerika, Afrika, Azia e deri nga Australia e largët që pritet të nisin studimet në UAMD.
Paralelisht, regjistrimet po vijojnë me ritme të mira edhe nga maturantët vendas. Në përfundim të raundit të parë janë regjistruar 1,290 studentë, ku degët më të kërkuara mbeten Infermieria, Financë-Kontabiliteti dhe Drejtësia.
Kjo prani në rritje e studentëve nga rrethet dhe jashtë kufijve e kthen në domosdoshmëri ndërtimin e infrastrukturës akomoduese për ta.
Ky do të jetë një investim që do t’u lehtësojë qëndrimin studentëve vendas e ndërkombëtarë në vitet e ardhshme, ndërsa Universiteti i Durrësit përgatitet të çelë dyert për një tjetër vit akademik.
Top Channel