Mëngjesi i së premtes shënoi vazhdimin e negociatave intensive për të vazhduar pauzën e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, ndërsa një zyrtar i lartë izraelit ritheksoi planet për të rifilluar luftën nëse grupi militant palestinez nuk pranon të lirojë më shumë pengje.

Pas dy zgjatjeve të pauzës së luftimeve të minutës së fundit, Izraeli dhe Hamasi shënuan të enjten ditën e shtatë të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Katari ndërsa u liruan tetë pengje nga Hamasi dhe 30 të burgosur palestinez nga Izraeli. Pauza shënoi edhe rritjen e ndihmave të dërguara në Rripin e Gazës. Ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari, të cilët arritën marrëveshjet e mëparshme, po punojnë për të negociuar një armëpushim dy ditor, njofton media shtetërore egjiptiane.

Mark Regev, këshilltar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli ishte i hapur për të vazhduar armëpushimin nëse Hamasi angazhohej për lirim e pengjeve të tjera. Izraeli më parë pati caktuar lirimin e dhjetë pengjeve në ditë për të mundësuar vazhdimin e pauzës së luftimeve.


“Jemi gati për të gjitha alternativat, ndryshe rifillojmë betejën”, tha ai për kanalin CNN.

Përpara skadimit të armëpushimit të mëparshëm herët të enjten, Hamasi dhe krahu i tij i armatosur, Xhihadi Islamik palestinez, i vunë luftëtarët e tyre në gatishmëri për luftë.

Ndërsa Hamasi mban më pak pengje izraelite gra dhe fëmijë, Hamasi mund të kërkojë vendosjen e kushteve të reja për të liruar burrat izraelitë, përfshirë ushtarët.

Grupi militant mund të kërkojë lirimin nga Izraelit të të burgosurve meshkuj palestinezë. Deri tani, tre të burgosur palestinezë janë liruar për çdo peng izraelit.

Një nga negociatorët kryesorë të Katarit, diplomati i karrierës Abdullah Al Sulaiti, i cili ndihmoi ndërmjetësimin e armëpushimit përmes negociatave maratonë, pranoi në një intervistë të fundit për agjencinë e lajmeve Reuters se mundësitë janë të vogla për një armëpushim.

Shkëmbimi i së enjtes çoi në 105 numrin e pengjeve të liruara nga Hamasi dhe 240 palestinezë të liruar nga Izraeli.

Armëpushimi ka mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza pasi pjesa më e madhe e territorit bregdetar prej 2.3 milionë banorësh është kthyer në rrënoja si rezultat i sulmit izraelit.

Më shumë karburant dhe 56 kamionë me furnizime humanitare u futën në Gaza të enjten, tha ministria e mbrojtjes e Izraelit dhe Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe.

Por dërgesat e ushqimit, ujit, furnizimeve mjekësore dhe karburantit mbeten shumë më të vogla se nevojat, thonë punonjësit e ndihmave.

Gjatë vizitës së tretë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u pajtua se fluksi i ndihmave në Gaza nuk ishte i mjaftueshëm.

Kryediplomati amerikan tha se i kishte thënë zotit Netanyahu se Izraeli nuk mund të veprojë në Gazën jugori siç kishte vepruar në veri./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA