Kurti dhe Vuçiç përfundojnë takimet me udhëheqësit europianë

26/10/2023 16:11

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, por nuk ka ende informacione për rezultatet e takimeve.

As Kurti, as Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve.

Në lidhje me mundësinë e ndonjë takimi tjetër gjatë ditës, burime të BE-së thanë se “asgjë nuk përjashtohet”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.
Kurti dhe Vuçiç u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime ishte i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiçit, tash për tash, nuk është planifikuar.

Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.

Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.
Vuçiç, në anën tjetër, tha se Serbia është e gatshme të bisedojë për planin, por pranoi se “takimet e planifikuara nuk do të jenë të lehta”.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si “rrugën e vetme për arritjen e një marrëdhënieje paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA