Nuk ka më kohë për Maurice Steijn. Ajax Amsterdam njoftoi në pasditen e së hënës lajmin për shkarkimin me efekt të menjëhershëm të trajnerit holandez.
50-vjeçari nuk i bëri një start të mirë aventurës tek Harkëtarët, pavarësisht investimeve rekord me vlerë mbi 100 milionë euro në verë dhe si rrjedhojë pagoi çmimin duke u larguar nga 36-herë kampionët e Holandës.
Steijn u emërua në verë tek Ajaxi, pas periudhës impresionuese me Spartën e Rotterdamit. Nën udhëheqjen e Steijn në sezonin e kaluar, roterdamasit përjetuan një sezon fantastik, duke u renditur në vendin e 6-të dhe duke u kualifikuar në zonën play-off të Conference League.
Sidoqoftë, Maurice Steijn nuk përsëriti të njëjtin rendiment edhe tek klubi më i titulluar në Holandë. 50-vjecari e drejtoi Ajaxin në 11 ndeshje, në sfidat mes Eredivisie dhe Europa League, dhe mori vetëm 2 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje. Dy fitoret e vetme erdhën ndaj Heracles Almelo në ndeshjen e parë të sezonit dhe ndaj Ludogorets në fazën play-off të Europa League.
E tepërt për Maurice Steijn rezultoi humbja në fundjavë ndaj Utrecht me rezultatin 4-3. Në këtë periudhë, Ajaxi do të drejtohet përkohësisht nga asistenti Hedwiges Maduro, që do ta nisë aventurën me dy përballje delikate ndaj Brightonit dhe PSV Eindhoven në harkun e pak ditëve.
Top Channel