Ndodhemi në ambientet e Klubit Sportiv Tirana, në kryeqytet, ku ka nisur kampionati i basketbollit “Junior NBA”. Në të janë përfshirë gati 500 fëmijë nga e gjithë Shqipëria si dhe 60 trajnerë.
“Junior NBA ka disa vite që është shtrirë në gjithë Europën dhe përfshin fëmijët nën 12-vjeç. Është viti i dytë që luhet në Shqipëri. Junior NBA ka si synim që të përfshijë të gjithë ekipet nga e gjithë Shqipëria. Federata Shqiptare e Basketbollit ka bërë të mundur në bashkëpunim me FIBA-n, që ta organizojë këtë event. Marrin pjesë 30 ekipe dhe kampionati zgjat 2-muaj. Ndeshjet luhen çdo fundjavë. Rruga që përshkon një talent është e tillë. Unë i referohem talentit tim Mikelit, një nxënës 13-vjeç që aktualisht po kërkohet nga Europa. I bëj thirrje trajnerëve, që nëse punon fort, seriozisht, sidomos me talentet, ato mund t’ja dalin edhe jashtë Shqipërisë, jashtë Europës, e madje edhe në Amerikë”- tha Altin Cico, trajner i “Galaktik King”.
“Unë e nisa basketbollin që 6 vjeç. Synimi im është të luaj në NBA në Amerikë. Në basketboll duhet të punosh fort, por duhet të kesh edhe dëshirë. Po ke dëshirën i ke të gjitha. Veten dhe ekipin në këtë kampionat unë i shikoj padiskutim kampion”- u shpreh basketbollisti Mikel Beqaraj.
“Lojtari im i preferuar në NBA ishte Kobe Bryant. Kam një ëndërr të bëhem si vajza e tij 13-vjeçare. Ajo ishte bashketbolliste shumë e talentuar. Nëse fitojmë, fitoren do ia kushtoja lojtarit më të mirë të ekipit Mikelit dhe trajnerit tone, që na mëson si të veprojmë në lojë”- u shpreh basketbollistja Helena Byberi.
Top Channel