Armando Broja dhe Ardian Ismajli janë mungesat e vetme e Shqipërisë për “finalen” ndaj Çekisë, që do të zhvillohet të enjten në “Air Albania” (20:45).
Duel që do të transmetohet live në SuperSport 2.
Trajneri Sylvinho theksoi në konferencën për shtypin se sulmuesi i Chelseat nuk ia ka dalë dot të rikuperohet për nesër, ndërkohë që SuperSport mëson rreshtimin e mundshëm të kuqezinjve kundër Çekisë.
Etrit Berisha rikthehet titullar mes shtyllave, duke i zënë vendin Thomas Strakoshës, i cili e nisi nga fillimi ndeshjen me Poloninë.
Arlind Ajeti do zëvendësojë Ismajlin e dëmtuar, duke formuar dyshen e qendrës së prapavijës me Berat Gjimshitin.
Në krahë të zakonshmit Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj. Nuk ndryshon as mesfusha krahasuar me duelin e fituar 2-0 ndaj Polonisë.
Repart ku konfirmohen si titullarë Kristjan Asllani, Ylber Ramadani dhe Nedim Bajrami.
Ndërkohë, në krahun e majtë të sulmit do e nisë nga minuta e parë Taulant Seferi, njësoj si në transfertën çeke. Ish-sulmuesi i Tiranës preferohet përpara Myrto Uzunit, titullar me Poloninë.
Ndërkohë që nuk ndryshojnë Jasir Asani në të djathtë dhe Sokol Cikalleshi na majë të ofensivës së kuqezinjve.
Top Channel