E kryer/ Al Nassr nuk përmbahet, bind edhe lojtarin e Man. City

16/08/2023 10:12

Al-Nassr merkato te Manchester City.

Klubi i Cristiano Ronaldos, ka piketuar Aymeric Laporten si përforcimin e duhur për qendrën e mbrojtjes. Dhe ka arritur akordin financiar me kampionët e Anglisë dhe të Europës.

29-vjeçari u vendos nën urdhrat e Pep Guardiolës në janarin e vitit 2018. Kur u ble tek Athletic Bilbao për 65 mln euro. Sezonin e fundit hasi shumë vështirësi për të siguruar një fanellë titullari te City.

Me Guardiolën që u bazua më shumë te holandezi Nathan Ake. Hapësirat janë zvogëluar edhe më tepër me ardhjen e kroatit Josko Gvardiol dhe Laporte ka zgjedhur të pranojë milionat nga Arabia.

Shtypi britanik shkruan se qendërmbrojtësi shtatlartë, i cili mund të luajë edhe në të majtë të prapavijës, do të jetë përforcimi i radhës për Al-Nassr. Që ka bindur edhe Manchester City.

Laporte do të luajë në futbollin saudit me emra si CR7, Sadio Mane, Marcelo Brozovic, Seko Fofana dhe Alex Telles. Gjatë aventurës në Etihad ai ka fituar 12 trofe, mes tyre edhe Champions League në sezonin e fundit./ SuperSport

Top Channel