FOTO/ Parada e elegancës në “Topin e Artë”, partneret e futbollistëve mahnitin me paraqitjet e tyre

27/10/2026 22:55

Partneret dhe bashkëshortet e yjeve të futbollit tërhoqën vëmendjen me veshjet e tyre elegante në ceremoninë e 70-të të ndarjes së çmimeve “Topi i Artë”, të mbajtur në teatrin Palladium në Londër.

Fustanet klasike të zeza, ngjyrat e forta dhe modelet me detaje të veçanta i dhanë mbrëmjes një atmosferë glamuroze, duke e kthyer tapetin e kuq në një skenë ku spikati edhe moda.

Një nga paraqitjet që ra në sy ishte ajo e Laura Iglesias, partneres së Rodrit. Ajo zgjodhi një fustan të gjatë saten në ngjyrë rozë ciklaminë, duke u dalluar për ngjyrën e guximshme dhe stilin elegant.

Katie Goodland, bashkëshortja e Harry Kane, u shfaq me një fustan saten të zi me supe të zbuluara, ndërsa Gabrielle Figueiredo, bashkëshortja e Gabriel Magalhães, zgjodhi një fustan të zi transparent, të zbukuruar me dantellë.

Në mesin e të pranishmeve ishte edhe Lorena Bernal, bashkëshortja e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, si dhe Tatiana Trouboul, partnerja e portierit David Raya.

Vëmendje mori gjithashtu Geraldine Ponce, partnerja e Luis Díaz, e cila iu bashkua figurave të tjera të njohura të botës së futbollit në këtë mbrëmje të rëndësishme.

Ndryshe nga futbollistët, të cilët kryesisht preferuan kostume klasike dhe elegante, partneret e tyre sollën një larmi zgjedhjesh, duke kombinuar ngjyra, materiale dhe prerje të ndryshme.

Ceremonia e “Topit të Artë” dëshmoi edhe një herë se përtej çmimeve dhe arritjeve sportive, tapeti i kuq mbetet një nga momentet më të rëndësishme për stilin dhe elegancën në botën e futbollit.

Top Channel