Dreka mund të jetë ndonjëherë vakti që ju bën të dëshironi të flini në tryezën tuaj.

“Si një dietologe e regjistruar (ushqyese), kam dëgjuar njerëz që e thonë këtë shpesh gjatë karrierës sime, kështu që mendoj se është mjaft e zakonshme që njerëzit të kenë këtë përgjigje,” tha Julie Stefanski, një zëdhënëse për Akademinë e të ushqyerit dhe dietologjisë.

Ndjenja e lodhjes pas drekës, ose pas vakteve në përgjithësi, njihet si përgjumje pas ngrënies – ose, në gjuhën e folur, koma ushqimore.

Kur njerëzit hanë, shumica e gjakut tonë shkon në organet e tretjes për të përpunuar ushqimin, tha Sandra Arévalo, drejtoreshë e shëndetit dhe mirëqenies në komunitet në Spitalin Montefiore Nyack në Nju Jork.

Pasi një person ha, trupi mund të prodhojë më shumë serotonin, një neurotransmetues që rregullon gjumin dhe gjendjen shpirtërore – veçanërisht nëse ushqimi ishte i pasur me aminoacidin esencial triptofan, i cili gjendet në proteina si mishi i pulës, djathi dhe peshku.

Tendenca për t’u ndjerë i lodhur pas ngrënies nuk është diçka e keqe.

Por mund të ketë faktorë shtesë që e përkeqësojnë këtë reagim të natyrshëm, duke bërë që pjesën tjetër të ditës ta kaloni pa energji. Ja çfarë duhet të keni kujdes.

Një shkak i zakonshëm është konsumimi i vakteve që janë të rënda për sa i përket sasisë ose cilësisë.

Disa njerëz hanë tepër në vend që të ndalojnë kur ndihen të ngopur mirë. Mosngrënia e mëngjesit gjithashtu mund të çojë në teprime më vonë gjatë ditës. 

Ndonjëherë, megjithatë, përbërja e disa ushqimeve mund të kontribuojë në lodhje. Yndyrnat janë lëndët ushqyese më të vështira për t’u tretur, sepse molekulat e tyre janë shumë më të mëdha se ato të proteinave ose karbohidrateve. Nëse keni ngrënë një vakt të pasur me yndyrë – të tilla si ushqime të skuqura ose pica – kjo mund t’ju bëjë të ndiheni të lodhur.

Nëse dreka juaj përbëhet kryesisht nga karbohidrate dhe më pas ëmbëlsirë, nivelet e sheqerit në gjak dhe insulinës mund të rriten me shpejtësi.

Ashtu si ushqimet me shumë sheqer, pijet me sheqer gjithashtu mund t’ju bëjnë të ndiheni të lodhur.

Zgjedhja e vakteve dhe ushqimeve më të balancuara mund t’ju ndihmojë të ndiheni më pak të lodhur pas ngrënies, thanë ekspertët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA