Zemra nuk po njeh më moshë/ Infarktet po prekin edhe të rinjtë, 15% e rasteve janë nën 45 vjeç

27/09/2026 19:56

Zemra nuk po njeh më moshë. Infarktet po prekin gjithnjë e më shumë edhe personat nën 45 vjeç, një situatë që po ngre shqetësim te mjekët kardiologë.

Rreth 10 deri në 15% e infarkteve ndodhin te personat nën 45 vjeç, ndërsa rastet në këtë grupmoshë janë shtuar.

Mjeku kardiolog në QSUT, Naltin Shuka, thotë se rritja e rasteve te të rinjtë është shqetësuese.

“Janë shtuar rastet e infarktit tek moshat nën 45 vjeç, pasi tek ata 45 e lart e presim. Ka studime që tregojnë se 10 deri në 15% e infarkteve ndodhin tek moshat nën 45 vjeç”, shprehet Shuka.

Por faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problemeve kardiake te të rinjtë nuk lidhen vetëm me hipertensionin apo kolesterolin e lartë. Sipas kardiologut, ndër shkaqet janë edhe spazmat koronare, tromboembolia dhe përdorimi i substancave narkotike.

“Spazma koronare, tromboembolia, tanimë është shtuar edhe përdorimi i substancave narkotike”, thotë ai.

Për të mbrojtur shëndetin e zemrës, rëndësi ka edhe aktiviteti fizik. Sipas rekomandimit të studiuesve anglezë, ngjitja dhe zbritja e shkallëve mund të jetë një mënyrë për të ushtruar zemrën.

“Ngjitja e shkallëve baraz me 30-40 minuta ecje të shpejtë. Shëtitja nuk sjell asnjë përfitim. Kjo ul kolesterolin, nuk lejon të bllokohen enët e gjakut”, shprehet Shuka.

Krahas aktivitetit fizik, mjekët rekomandojnë ushqyerje të shëndetshme dhe apelojnë që çdo dhimbje gjoksi apo marrje fryme të mos neglizhohet, në mënyrë që pacienti të arrijë në kohë te mjeku.

Top Channel