Preku pikën më të thellë të Tokës dhe mbijetoi/ Aventurat ekstreme të 5 miliarderëve që humbën jetën në nëndetësen Titan

24/06/2023 17:23

Shpirti i aventurës, eksplorimi dhe pasioni i thellë për natyrën ishin karakteristikat që i bashkuan pesë pasagjerët e nëndetëses Titan të nisin udhëtimin eksplorues në rrënojat e Titanikut, i cili do të ishte edhe i fundit për ta.

Ata u shpallën të vdekur, ndërsa nëndetësja dhe trupat e tyre nuk janë gjetur ende edhe pas disa ditësh kërkimi në oqeanin Atlantik.

Pesë personat që humbën jetën janë biznesmeni Shahzada Dawood, 48 vjeç; djali i tij, Suleman Dawood, 19 vjeç; eksploruesi francez Paul-Henry Nargeolet, 77 vjeç, CEO i OceanGate, 61-vjeçari Stockton Rush dhe biznesmeni dhe eksploruesi Hamish Harding.

George Hamish Harding

George Hamish Livingston Harding i lindur më 24 qershor 1964 ishte një biznesmen, pilot, eksplorues dhe astronaut.
Ai ishte themeluesi i “Action Group” dhe kryetar i Action Aviation, një kompani ndërkombëtare e avionëve me seli në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai gjithashtu mbajti tre Rekorde Botërore Guinness, duke përfshirë kohën më të gjatë të kaluar në thellësinë e oqeanit gjatë një zhytjeje në Hendekun Mariana, e cila cilësohet si pika më e thellë e Tokës dhe ndodhet në pjesën perëndimore të Paqësorit në brigjet e Guamit dhe Mikronezisë.

Midis 9 dhe 11 korrikut 2019, Harding ishte drejtor dhe pilot i ekuipazhit gjatë misionit të fluturimit “One More Orbit”, i cili vendosi një rekord botëror të shpejtësisë për udhëtimin më të shpejtë të Tokës me avion mbi të dy polet gjeografike. Vizita e rrënojave të Titanikut ishte, një prej misioneve në listën e tij të aventurave, e cila përfundoi në tragjedi.

Shahzada Dawood

Shahzada Dawood lindi më 12 shkurt 1975, në Rawalpindi të Pakistanit. Ai ishte nënkryetar i “Engro”, një kompani pakistaneze e investimeve në energji, dhe “Dawood Hercules Corp”, një firmë investimi. Ai kishte eksperiencë në bashkëpunime me kompani të tjera që përfshinin tekstile, plehra, ushqime dhe energji.

48-vjeçari shërbeu në borde të ndryshme, duke përfshirë Institutin SETI, një organizatë jofitimprurëse e financuar nga NASA e dedikuar për kërkime jashtëtokësore dhe organizatën e bamirësinë së Mbretit Charles, “Prince’s Trust International”. Dawood kishte një diplomë universitare për drejtësi, edhe pse ëndrrat e tij më të mëdha lidheshin me natyrën dhe aventurat. Familja e tij njihet si një nga familjet më të pasura të biznesit në Pakistan. Ai la pas gruan e tij, Christine dhe vajzën Alina.

Suleiman Dawood

Suleimani, djali i Shahzada Dawood ishte më i vogli nga pesë viktimat e nëndetëses. 19-vjeçari kishte përfunduar vitin e tij të parë, ndërsa studionte për biznes në Universitetin e Strathclyde në Glasgow të Skocisë.

Ashtu si babai i tij, ai ishte një adhurues i fantashkencës dhe i pëlqente të luante volejboll, sipas një deklarate nga Engro. Sipas dëshmive, ai nuk donte të ishte pjesë e eksplorimit, por pranoi vetëm për t’i bërë qejfin të atit.

Stockton Rush

Biznesmeni britanik Stockton Rush, themeloi OceanGate në vitin 2009 dhe shërbeu si CEO i kompanisë. Në vitin 1981, Rush u bë piloti më i ri i vlerësuar i transportit jet në botë në atë kohë në moshën 19-vjeçare, duke fluturuar drejt vendeve si Kajro, Mumbai dhe Cyrih. Ai mori një diplomë bachelor në inxhinierinë e hapësirës ajrore nga Universiteti Princeton dhe një diplomë master biznesi nga UC Berkeley.

Në vitin 1989, ai zhvilloi avionin e tij eksperimental, të cilin e kishte vënë në funksion më parë. Ai shërbeu gjithashtu në bordet dhe ekipet e zhvillimit për kompanitë që prodhojnë sisteme sonar, softuer dhe telekomandë, si dhe në Muzeun e Fluturimit në Seattle.

Paul-Henri Nargeolet

Nargeolet, i njohur si “Zoti Titanik” për ekspertizën e tij të anijes, kaloi 22 vite në marinën franceze, ku u gradua komandant. Ai doli në pension nga marina në vitin 1986, por ëndrra për detin nuk e la të hiqete dorë nga thellësitë. Ai drejtoi zhytjen e parë të rikuperimit të rrënojave të Titanikut në vitin 1987.

Nargeolet ishte drejtor i kërkimit nënujor për RMS Titanic Inc., një kompani e dedikuar për ruajtjen e historisë së Titanikut, dhe E/M Group. Ai zhvilloi 37 zhytje në rrënojat e Titanikut gjatë karrierës së tij dhe mbikëqyri marrjen e 5000 objekteve të saj, duke përfshirë një pjesë byku prej 20 tonësh. Nargeolet lindi në Chamonix të Francës, por jetoi në Afrikë për 13 vjet me familjen e tij përpara se të kthehej në Francë në moshën 16-vjeçare.

Hetuesit janë ende duke u përpjekur të kuptojnë se çfarë ndodhi pasi Titan humbi kontaktin me anijen e tij mëmë në sipërfaqe të dielën.
Pas një kërkimi shumë-ditor me ndihmën e ekipeve amerikane, kanadeze dhe franceze, pjesë të nëndetëses u gjetën të enjten, afërsisht 487m nga harku i mbytjes së Titanikut. Titani që operohej nga kompania private amerikane “OceanGate Expeditions”, u zhyt të dielën në orën tetë të mëngjesit në afërsi të brigjeve kanadeze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA