Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, i pyetur për debatet e ashpra në mbledhjen e një ditë më parë të Kryesisë së PD, thotë se çdo kush ka ndikuar në krijimin e tensionit dhe kërkon që diferencat mes demokratëve të zgjidhen në mënyrë civile.
Në një deklaratë për mediat jashtë Parlamentit, Basha shprehet se dënon sjelljen e dhunshme në Kryesi, ndërsa shton se do të marrë vendime për të mirën e shqiptarëve.
“Marr vendime në interes të shqiptarëve. Dua t’i them çdo demokrati që vendimet që do të marr, do të udhëhiqem nga interesi i tyre.
Distancohem dhe dënoj me forcë çdo sjellë, fjalë, banalitet që janë shkëmbyer në moment tension, sidomos kur aty ishin dhe përfaqësues të mediave. Refuzoj çdo model të tillë dhe i bëj thirrje demokratëve që kur ka ngjarje të tilla, diferencat mes nesh ti zgjidhim në mënyrë civile dhe të respektojnë gazetarët që raportojnë.
Çdo kush kontribuon në krijimin e një klime. Nuk duhet të merremi kush ka apo jo faj, por të tejkalohet kjo situatë”.
Një ditë më parë, Kryesia e Partisë Demokratike doli me vendimin për hapjen e garës për kreun e ri të partisë me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime, pas rreth 10 orë mbledhje.
Vendimi u mor që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik. Mbledhja e Kryesisë së PD-së u përfshi nga debate mes anëtarëve. Disa prej anëtarëve braktisën mbledhjen, duke kundërshtuar vendimin, mes tyre Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati dhe Dhurata Çupi.
Pasi dalën nga mbledhja, u përballën me kërcënime dhe ofendime të militantëve mbështetës të Lulzim Bashës.
Kryesia la afat që deri më 20 qershor të dorëzohen kandidaturat për kreun e PD-së, ndërsa kandidatët do të kenë rreth një muaj afat për fushatë zgjedhore. Nga ana tjetër, mes shumë debateve në kryesi, Jorida Tabaku dha dorëheqjen si nënkryetare e Partisë Demokratike.
Top Channel