Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, reagon Spiropali: Gjykata nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri

16/09/2026 16:57

Ish-ministrja Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata e Hagës.

Sipas saj “Gjykata nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri”.

“Serbia e Millosheviçit e dënoi Hashim Thaçin e Kosovës me dhjetë vjet burg. Për 1 arsye të vetme: Sepse Hashim Thaçi nuk zgjodhi zgjedhën, por rezistencën e armatosur kundër robërisë.

Sot, në Hagë, nuk u dënuan mizorisht katër individë; Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Përmes gjuhës së përdorur dhe rrëfimit politik u dënua ajo çka në fakt për shqiptarët dhe botën mbarë, pavarësisht si e formuluan, ishte një ndërmarrje çlirimtare.

Një gjykatë mund të përcaktojë përgjegjësi individuale. Por nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri. UÇK-ja ishte përgjigjja ndaj dhunës shtetërore serbe dhe themeli mbi të cilin u ndërtua liria e Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë menjëherë një rezolutë të përbashkët që mbron të vërtetën historike të luftës çlirimtare dhe kundërshton çdo përpjekje për fajësi të UÇK-së dhe të një populli të tërë”, shkruan ajo.

Top Channel