Në hapësirat e burgut të Dubravës është përkujtuar sot 24-vjetori i masakrës së Dubravës, në të cilën regjimi gjenocidal serb vrau e plagosi qindra të burgosur shqiptarë.

Pjesë e ceremonisë përkujtimore ishin edhe krerët e shtetit, të cilët theksuan nevojën që kriminelët serbë të dalin para drejtësisë për këtë masakër.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se masakra e Dubravës dëshmon gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, tha se Serbia e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi të përqendrimit të të burgosurve politik shqiptarë. Sipas Kurtit, institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për këtë masakër.

24 vjet më parë, në periudhën 19-24 maj 1999, në Burgun e Dubravës ndodhi një nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviç, vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 300 të tjerve.

Në foto: Pllaka përkujtimore brenda Burgut të Dubravës

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.

I mbijetuari i kësaj masakre dhe njëherazi deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli kërkon hetim nga ana e Gjykatës Speciale për krimet e Serbisë ndaj të burgosurve shqiptarë. Dugolli thotë se përmes shkresave të tij ka dhënë mjaftueshëm argumente që Specialja të nis hetimin e kësaj masakre.

Madje, ai beson që Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion lëndor, por edhe territorial e kohor ta trajtojnë kërkesën e tij. Kërkesa e deputetit të LVV-së drejtuar Prokurorit të Specializuar në Hagë për të hetuar masakrën e Dubravës po konsiderohet si test juridik për Specialen, ndërsa Dugolli ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje./ KosovaPress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA