Marrëveshja e Bordit të Paqes ende është në fazën e shqyrtimit nga komisionet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Të martën, komisioni për punë të jashtme ka marrë vendim të shtyjë këtë procedurë për shkak të nenit 2 të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes.
“Objektivi kryesor i Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare është promovimi i stabilitetit, rivendosja e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, thuhet në këtë nen, që sipas deputetëve duhet të specifikohet.
“Fjalia e nenit dy, paragrafit dy, është problematike dhe nëse vazhdon të mbetet në projektligj pa u përmirësuar. Unë mendoj se në formulim ka probleme projektligji… Ne duhet të dimë cilën qeverisje po e rivendosim aty? Cilat konflikte po i referohemi? Aktualisht ka shumë konflikte në botë”, shprehet Arbërsha Kryeziu, deputete, LVV.
“Ky është një bord që tejkalon përmasat evropiane dhe baza për t’u krijuar si i tillë ka të bëjë me një rajon që është jashtë Evropës”, thotë Ilmi Recica, deputet, PDK.
Anëtarët e komisionit u morën vesh që të nis punën një grup punues e të rikthehet për shqyrtim projektligji javën e ardhshme.
Në komisionin për punë të jashtme u ngritën edhe shqetësimet për vonesat në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, që sipas opozitës burojnë nga raporti i acaruar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ish-presidentes, Vjosa Osmanit.
“Ne e dimë që ka pasur dallime mes kryeministrit dhe ish presidentes për këtë çështje”, deklaroi deputeti i LDK-së, Lutfi Harizi.
Ndërkohë, të martën, Komisioni për Siguri miratoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e trupave ushtarake në Gaza si pjesë e marrëveshjes së Bordit të Paqes.
Ekzekutivi më 30 mars nxori vendimin përmes së cilit 22 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të marrin pjesë në misionin paqeruajtës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Me ftesë të presidentit amerikan Donald Trump, Kosova e përfaqësuar nga Vjosa Osmani nënshkroi marrëveshjen për anëtarësimin në Bordin e Paqes më 22 janar.
Top Channel