Seanca për kryebashkiakun e Tiranës/ Zbardhen diskutimet, Ndreca kërkon shtyrjen e gjykimit. Dumani: Burgjet s’kanë marrë masa për njoftimin e tij

15/04/2026 10:54

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të pandehurit e tjerë është shtyrë për në 27 prill.

Në fillim të seancës, avokati i Veliajt kërkoi që gjykimi të mos vijojë, duke theksuar mungesën e njoftimit të plotë dhe të drejtën e klientit të tij për të marrë pjesë në proces.

Nga ana tjetër, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se i pandehuri nuk është njoftuar, pavarësisht urdhrit të gjykatës, duke vënë në dukje moszbatimin nga Drejtoria e Burgjeve.

Diskutimet në seancë:

Avokati i Veliajt: Së pari, ju duhet të garantoni të drejtën e çdo të pandehuri për t’u njoftuar dhe po ashtu faktin që zoti Veliaj nuk e ka shprehur vullnetin e tij nëse do të marrë pjesë në seancën e sotme. Mendoj që nuk mund të vijojë gjykimi. Ndërsa, për sa u përket 24 fashikujve që ju si gjykatë theksoni që janë fashikuj që lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë, ne kërkojmë çdo fashikull, sepse janë të pandehur në një procedim të lidhur.

Altin Dumani: Marr në konsideratë rrethanën e relatuar, i pandehuri nuk është njoftuar, përpos faktit që gjykata ka urdhëruar njoftimin e tij. Na rezulton se Drejtoria e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës. Po ashtu, duhet të mësohet se përse Drejtoria e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës, sepse nuk është hera e parë dhe mosnjoftimi i të pandehurit po bëhet shkak për shtyrjen e seancës. Nëse ju si gjykatë vendosni të shtyni seancën, ju kërkojmë që të caktoni një datë sa më të shpejtë.

Top Channel