Publikohet bilanci pas tubimit të djeshëm në Tiranë, një person pëson dëmtim në sy. Policë, protestues e gazetarë të lënduar

29/11/2026 11:30

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin e të lënduarve gjatë protestës së 28 nëntorit, duke bërë me dije se në dy spitalet kryesore në Tiranë janë paraqitur për ndihmë mjekësore gjithsej 61 persona.

Mes të lënduarve janë efektivë policie, protestues, gazetarë, kalimtarë, punonjës sigurie dhe një deputet. Sipas Ministrisë, pesë persona vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin e Traumës, ndërsa të gjithë të lënduarit e paraqitur në QSUT kanë lënë spitalin.

“Përditësim informacioni mbi të lënduarit gjatë protestës së datës 28 nëntor 2026.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore informon se gjatë protestës së djeshme:

Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për të marrë trajtim mjekësor 50 pacientë, nga të cilët:

  • 17 efektiv policie, njëri prej të cilëve është i shtruar në spital dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
  • 21 protestues, 2 prej të cilëve janë të shtruar në spital dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.

Njëri prej të shtruarve është paraqitur me kontuzion i bulbit ocular (jo me trup të huaj në sy ). Po ndiqet në vijimësi nga mjekët e specializuar.

  • 6 gazetarë, 1 prej të cilëve është i shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve.
  • 6 kalimtarë, njëri prej të cilëve ndodhet i shtruar në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Të lënduarit e tjerë kanë lënë spitalin, me këshillën e mjekun.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 11 të lënduar:

  • 8 efektivë policie
  • Një protestues
  • Një punonjës sigurie
  • Një deputet

Të gjithë të lënduarit kanë lënë spitalin, me këshillën e mjekut, shkruan Ministria.

Top Channel