Shqipëria synon avancimin në prodhimin e energjisë elektrike përmes sistemeve fotovoltaike siç është edhe ndërtimi parkut  “Blue 1” në Seman të Fierit një investim me vlerë 43 milion Euro.

“Këtu ndodhemi në parkun Blue 1. Ky është parku i parë privat fotovoltaik, i cili ka nisur  tashmë nga puna. Para pak ditësh ka nisur dhe vendosja e paneleve, pasi parku prej 50 megavoltësh është i shtrirë në të gjithë zonën këtu. Ka një vazhdimësi ky projekt pasi parashikohet ndërtimi i parkut “Blue 2”, i cili  është i parashikuar për 50 megavat, por gjatë bisedës që po bënim tani para se të vinit ju ka një plan për ta shtuar dhe për ta çuar deri në 200 megavat”, tha Belinda Balluku.

Kryeministri Edi Rama e quajti të rëndësishëm hapjen në qershor nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ankandin e ri për  parqe fotovoltaike.

“Ne nuk mund të lëshojmë terrene prodhuese bujqësore për të vendosur panele. Këtë mund ta bëjmë vetëm për panele agrosolare, do ishte një vlerë e shtuar, dhe do ta bëjmë vetëm në ato raste, kur sipas përcaktimeve të sakta niveli i bonitetit dhe prodhueshmërisë së tokës të jetë nën atë të dëshiruarin për prodhime bujqësore”, u shpreh Rama.

Në kushtet kur e gjithë bota është mbërthyer nga çmimet e rritura të energjisë elektrike kryeministri Edi Rama e shikon zgjidhjen tek shumëllojshmëria e burimeve energjitike.

“Kemi investime duke filluar nga Skavica që është në proces, duke vazhduar me ato të erës. Kemi edhe investimin me gazin e lëngshëm që futet në lojë dhe me projektin e parë të gazifikimit që jemi duke e hartuar së bashku me partnerët tanë të Azerbajxhanit. Nëse ai projekt do të ecë mirë pastaj ajo do të shtrihet. Aktualisht po punojmë në rajonin e Korçës dhe me gjasë do të jemi në gjendje të hapim rrugën edhe për rafinerinë që të na çlirojë përfundimisht nga historitë e imponimeve të tregut“, shtoi më tej ai.

Kryeministri kërkoi mos ndaljen e kurmit të energjisë nga qytetarët tek sa po afron sezoni turistik.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA