Të paktën 12 persona kanë humbur jetën pas një tërmeti të fuqishëm që goditi bregun jugor të Ekuadorit.
Ndërtesat janë dëmtuar në disa qytete pas tërmetit me magnitudë 6.7, i cili goditi Ekuadorin pasditen e një dite më parë.
Provinca jugore El Oro ishte më e prekura, ku shërbimet e urgjencës kanë raportuar se njerëzit mbeten të bllokuar brenda shtëpive të shembura.
Njëmbëdhjetë vdekje ishin në El Oro dhe një në provincën Azuay, thanë autoritetet.
Machala dhe Cuenca ishin ndër qytetet që pësuan dëmtime në ndërtesa dhe automjete, pasi shërbimet e urgjencës nxituan për të ndihmuar njerëzit.
Epiqendra ishte afër Balaos, rreth 80 km nga qyteti i dytë më i madh i Ekuadorit, Guayaquil ku jetojnë rreth tre milionë njerëz.
“Unë dola në rrugë sepse pashë njerëz që filluan të vrapojnë në panik, duke zbritur nga makinat e tyre”, tha Magaly Escandon, një pronar biznesi në Cuenca, për agjencinë e lajmeve AFP.
Presidenti Guillermo Lasso u kërkoi ekuadorianëve të qëndrojnë të qetë ndërsa zyrtarët vlerësojnë dëmet.
“Ekipet e emergjencës po mobilizohen për të ofruar të gjithë mbështetjen e tyre për ata që janë prekur”, tha ai.
Zyra e Lasso konfirmoi gjithashtu se të lënduarit po trajtoheshin në spital, por nuk ofroi detaje të mëtejshme.
Disa rrugë janë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut, ndërsa disa shtëpi, ndërtesa arsimore dhe qendra shëndetësore janë dëmtuar, thanë autoritetet.
Një person u raportua i vrarë në qytetin e Cuencas pasi një mur u shemb mbi makinën e tyre, ndërsa tre persona vdiqën kur një kullë e kamerave të sigurisë u rrëzua në ishullin Jambeli.
Ka pasur raportime për tërmetin që është ndjerë edhe në disa qytete të tjera, duke përfshirë Manabi, Manta dhe kryeqytetin Quito.
Ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Ekuadorin që nga viti 2016, kur rreth 700 njerëz vdiqën dhe mijëra u plagosën.
Zyrtarët në Peru thonë se tërmeti është ndjerë në rajonet veriore të vendit, por nuk ka raporte të menjëhershme për viktima apo dëme.
Top Channel