Ashtu sikurse pritej, protestat në përvjetorin e 14-të të vrasjes së 15-vjeçarit Aleksandros Grigoropoulos nga një polic, kanë degjeneruar në incidente të dhunshme në Athinë e Selanik mes grupeve të të rinjve dhe policisë greke.
Në Athinë, ato filluan pas përfundimit të protestës paqësore, ku sipas policisë morën pjesë mbi 8000 persona dhe 1000 prej tyre në lagjen Exarchia hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj policive, të cilët janë përgjigjur me gaz lotsjellës.
Grupet e të rinjve kanë ngritur barrikada, kanë vënë zjarre tek koshat e plehrave dhe kanë dëmtuar stacionin e metrosë në sheshin Omonia.
Edhe në Selanik pas mitingut të 6000 vetëve ,persona me fytyra të mbuluara kanë ngritur barrikada dhe kanë sulmuar forcat e policisë pas konsullatës turke ku rrugët janë shndërruar në shesh beteje.
Organet e Rendit nuk kanë mundur të shmangin incidentet e dhunshme pavarësisht se ishin në gatishmëri mbi 4000 policë. Janë kryer rreth 40 shoqërime dhe 9 arrestime. Mbi 14 policë janë plagosur.
Më herët mijëra protestues mbushën rrugët e dy qyteteve kryesore të vendit kundër dhunës policore, një ditë pasi një i ri rom u qëllua në kokë nga një patrullë policie që po e ndiqte pasi nuk pagoi 20 euro në një pikë karburanti në Selanik.
Një oficer policie është arrestuar dhe akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë për këtë ngjarje, ndërsa gjendja e 16-vjeçarit rom në spitalin Ippokrateio të Selanikut është tepër kritike.
Në një ngjarje të ngjashme vitin e kaluar, policia greke ka qëlluar për vdekje një 21-vjeçar rom pranë portit të Pireut.
Top Channel