Trump paralajmëron bazë të re amerikane në Poloni: Po bëhet përparim i madh

18/09/2026 10:52

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se po bëhet “përparim i madh” drejt krijimit të një baze të re ushtarake amerikane në Poloni.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump vlerësoi presidentin polak Karol Nawrocki dhe e cilësoi atë si “mik”, duke e lidhur projektin me forcimin e aleancës mes dy vendeve. “Po bëhet përparim i madh drejt krijimit të një baze të ushtrisë amerikane në Poloni”, shkroi Trump, duke shtuar se nëse projekti realizohet, vendndodhja do të bëhet e ditur së shpejti.

Sipas tij, krijimi i bazës do të përbënte “një hap historik” për aleancën SHBA-Poloni.

Presidenti polak Karol Nawrocki e falënderoi Trumpin për mbështetjen dhe deklaroi se Polonia është e gatshme të vazhdojë forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. “Qeveria polake do të bëjë çmos për të siguruar vendndodhjen më të mirë të mundshme për bazën e ushtrisë amerikane”, tha Nawrocki.

SHBA-ja ka tashmë një prani të konsiderueshme ushtarake në Evropë. Sipas Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), Uashingtoni ka 31 baza të përhershme dhe 18 objekte të tjera ushtarake në kontinent.

Prania amerikane përfshin baza ajrore, instalime detare, garnizone, sisteme të mbrojtjes nga raketat dhe qendra mbikëqyrjeje. Të dhënat amerikane tregojnë se në Evropë janë të dislokuar më shumë se 68 mijë trupa amerikane.

Polonia, anëtare e NATO-s që prej vitit 1999, ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje vitet e fundit, veçanërisht pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

Megjithatë, Trump nuk ka dhënë ende detaje mbi vendndodhjen, madhësinë apo afatet e ndërtimit të bazës së re.

Top Channel