Podiume bosh, shpërblime për votimin elektronik dhe opozita jashtë gare/ Rusët votojnë mes përshkallëzimit të luftës në Ukrainë

18/09/2026 09:56

Rusia zhvillon zgjedhjet parlamentare për herë të parë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës, në një klimë të tensionuar politike dhe me opozitën kritike ndaj Kremlinit jashtë gare.

Votimi zhvillohet për tre ditë dhe qytetarët rusë do të zgjedhin 450 deputetët e Dumës së Shtetit, dhomës së ulët të parlamentit.

Partia Rusia e Bashkuar, e cila mbështet Presidentin Vladimir Putin dhe ka dominuar politikën ruse prej më shumë se dy dekadash, pritet të ruajë shumicën në parlament.

Një prej pamjeve që ilustron klimën e këtyre zgjedhjeve vjen nga qyteti i Ryazanit. Në një debat televiziv të transmetuar nga Russia-1, gjashtë kandidatët e regjistruar nuk u paraqitën në studio. Përballë moderatores mbetën vetëm podiumet bosh.

Opozita kundër luftës është gjithashtu jashtë procesit zgjedhor. Partia Yabloko, e cila kishte bërë fushatë për një armëpushim dhe negociata për përfundimin e luftës në Ukrainë, u ndalua nga Gjykata e Lartë ruse pak pasi ishte regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje.

Drejtuesit e Yablokos e kanë cilësuar vendimin si të motivuar politikisht. Autoritetet ruse, ndërkohë, kanë argumentuar se partia kishte shkelur rregullat lidhur me financimin e huaj dhe të drejtat e autorit.

Një tjetër çështje që ka shkaktuar debate është votimi elektronik. Në Moskë, autoritetet kanë ofruar pikë që mund të përdoren për çmime për qytetarët që votojnë online ose përmes terminaleve elektronike në qendrat e votimit, në vend të fletës së votimit në letër.

Kritikët e sistemit kanë shprehur prej kohësh shqetësime për transparencën e votimit elektronik. Zgjedhjet zhvillohen ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë. Sulmet me dronë ukrainas në territorin rus kanë prekur gjithnjë e më shumë jetën e përditshme, ndërsa goditjet ndaj rafinerive të naftës kanë shkaktuar probleme me furnizimin me karburant në disa zona.

Në këto zgjedhje, një rol të veçantë kanë edhe veteranët e luftës. Sipas të dhënave të cituara nga CNN, 186 veteranë të luftës në Ukrainë kandidojnë për Dumën e Shtetit, ndërsa më shumë se 1,500 ish-ushtarakë garojnë për poste rajonale dhe lokale.

Në Moskë, disa votues shprehen të shqetësuar për luftën dhe të ardhmen e vendit. Një prej tyre, Raisa, tha se shpreson për një të ardhme “paqësore” dhe se dëshiron që lufta të përfundojë.

Një tjetër votuese, 73-vjeçarja Marina Alexandrovna, tha se nuk kishte vendosur ende se për kë do të votonte. Duke folur për situatën politike në vend, ajo u shpreh se nuk i pëlqejnë zhvillimet, por se nuk sheh shumë mundësi për t’i ndryshuar ato.

Analistët e cituar nga CNN argumentojnë se zgjedhjet kanë rëndësi për Kremlinin edhe si një mënyrë për të demonstruar mbështetjen e publikut për politikat e Vladimir Putinit gjatë luftës. Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale ruse janë përhapur spekulime për një mobilizim të ri ushtarak pas zgjedhjeve. Kremlini i ka mohuar këto pretendime.

Votimi po zhvillohet edhe në territoret ukrainase që Rusia pretendon se i ka aneksuar, përfshirë Krimenë dhe pjesë të Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias. Ukraina dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar nuk i njohin këto aneksime.

Për Kremlinin, zgjedhjet zhvillohen në një moment të rëndësishëm politik, ndërsa lufta vazhdon dhe presioni mbi ekonominë dhe shoqërinë ruse mbetet i lartë.

Top Channel