Formula 1/ Çfarë bën Verstappen? Niset i 101 dhe fiton garën e çmendur me makina kart në Silverstone
Bota e basketbollit amerikan është në zi. Mike Sweetney, ish-lojtari i New York Knicks dhe një prej emrave të spikatur të Georgetown, është ndarë nga jeta në moshën 43-vjeçare.
Sweetney u përzgjodh nga New York Knicks me zgjedhjen e nëntë të përgjithshme në draftin e NBA-së të vitit 2003, pasi kishte spikatur me Georgetown.
Lajmi i trishtë u bë i ditur nga bashkëshortja e tij, India, përmes një postimi në Facebook. Ajo e përshkroi Sweetney-n si mikun e saj më të mirë dhe bashkëshortin e saj për gati dy dekada.
“Me zemër të thyer, ne mbajmë zi thellë për ndarjen nga jeta të Michael-it tonë të dashur”, shkroi India.
Ajo theksoi gjithashtu lidhjen e fortë që Sweetney kishte me fëmijët e tij, duke thënë se ata ishin “drita e syve të tij” dhe se ai punonte çdo ditë për t’u siguruar atyre jetën më të mirë të mundshme.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.
Sweetney luajti dy sezone në NBA me New York Knicks. Në sezonin e tij të dytë ai shënoi përmirësim në paraqitjet e tij, duke regjistruar mesatarisht 8.4 pikë dhe 5.4 ribaunde për ndeshje.
Gjatë gjithë karrierës së tij në NBA, basketbollisti u përball edhe me probleme të vazhdueshme me peshën.
Në verën pas sezonit të dytë në New York, Sweetney u përfshi në një shkëmbim që e dërgoi te Chicago Bulls, ndërsa në drejtim të Knicks u transferuan Eddie Curry dhe Antonio Davis.
Pas dy sezonesh në Çikago, Sweetney vijoi karrierën e tij jashtë Shteteve të Bashkuara.
I lindur në Uashington, Sweetney luajti më pas në disa kampionate jashtë SHBA-së, përfshirë Kinën, Porto Rikon dhe vende të Amerikës së Jugut.
Ai e mbylli karrierën si basketbollist profesionist në vitin 2017.
Ndërkohë, India kishte nisur së fundmi edhe një fushatë në GoFundMe, me një objektiv prej 10 mijë dollarësh.
Në mesazhin e saj, bashkëshortja e Sweetney kërkoi kohë dhe hapësirë për familjen në këtë periudhë të vështirë.
“Ai ishte djali, vëllai, anëtari i familjes, miku, babai dhe burri më i mirë që dikush mund të kërkonte”, shkroi ajo, duke falënderuar të gjithë ata që kanë shprehur mbështetjen dhe ngushëllimet për familjen.
Top Channel