SHBA-Rusi, ndryshon qasja? Uashingtoni shqyrton bashkëpunimin ekonomik para fundit të luftës

18/09/2026 09:57

Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike me Rusinë përpara përfundimit të luftës në Ukrainë. Lajmi bëhet i ditur nga New York Times, i cili citon dy burime pranë bisedimeve.

Sipas gazetës amerikane, kjo qasje ndryshon nga qëndrimi i ndjekur deri tani nga SHBA-ja, sipas të cilit rritja e presionit ekonomik dhe ushtarak ndaj presidentit rus Vladimir Putin do ta detyronte atë të bënte kompromis.

Megjithatë, sipas New York Times, administrata amerikane beson se bashkëpunimi ekonomik mund të përdoret si një nga mjetet për të avancuar negociatat dhe për të bindur figurat më skeptike ndaj SHBA-së në rrethin e Putinit se presidenti Donald Trump synon vendosjen e marrëdhënieve të reja me Rusinë.

Ndërkohë, në Rusi, presidenti Vladimir Putin ka vendosur përmes një dekreti nën kontroll të përkohshëm shtetëror asetet e kompanive Nestlé dhe Auchan.

Në zhvillimet në terren, pas shkeljes së hapësirës ajrore të Lituanisë nga avionë ushtarakë rusë, të cilët u shoqëruan jashtë saj nga avionë luftarakë italianë në dispozicion të NATO-s, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë njoftuar se gjatë natës kanë rrëzuar 69 dronë dhe tre raketa ruse.

Top Channel