“Biskotë” në ndeshjen me Japoninë, Laporte: As nuk e mendoj kundërshtarin e radhës!

01/12/2022 14:19

Spanja luan ndeshjen përmbyllëse në Grupin E ndaj Japonisë. Iberikasit në fakt e kanë në këmbët e tyre kualifikimin pasi janë në kuotën e katër pikëve dhe mund të kalojnë edhe në rast të një disfate, por në atë pikë do të humbisnin kryesimin.

Një kombinim që do të rrezikonte ndjeshëm situatën e Gjermanisë që i duhet patjetër të fitojë me Kosta Rikën, por nuk ka asgjë të sigurt nëse triumfon Japonia. Së fundmi, mbrojtësi Aymeric Laporte i Spanjës thekson se nuk ka shanse që La Roja të tolerojë ndaj japonezëve ndërsa shtoi se ai as nuk e mendon kundërshtarin në turin pasardhës.

“Nuk do të futemi në fushë për të bërë lojëra, apo për “biskotën” e famshme. Askush nuk i ka gjashtë pikë në llogari dhe si rrjedhojë asnjë nuk e ka kualifikimin e sigurt. Nuk më pëlqen aspak që njerëzit flasin për gjëra të tilla apo llogari për të dalë në vendin e dytë. Unë as nuk e di kundërshtarin e radhës në 1/8-tat”, u shpreh Laporte.

Top Channel