Një ditë shi, mbushen hidrocentralet! Hapen portat e shkarkimit, ndërkohë KESH vijon të importojë energji

20/11/2022 19:38

Dy ditë më parë zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaronte se reshjet e shiut që priten në fundjavë do bënin që Shqipëria të shiste energji në eksport ose ta depozitonte në Kosovë, por në asnjë mënyrë nuk do ta shkarkonte.

Parashikimi për shiun doli, por për të tjerat jo. KESH nëpërmjet një njoftimi zyrtar ditën e sotme njoftoi se 30% e prurjeve në Kaskadën e Drinit janë shkarkuar, pasi u kalua kuota maksimale e digave. Përveç shkarkimeve, KESH nuk ka prodhuar as me kapacitet të plotë deri në orën 14:00.

Por si ndodhi kjo situatë? KESH shprehet se reshjet e shiut  u përqendruan në dy basene të vogla si ajo e Komanit dhe Vaut të Dejës, ku nuk kishin një kapacitet të lartë rezervimi siç do ishte rasti i Fierzës.

KESH prodhoi me gjysmë kapaciteti pasi në bazë të një tenderi të zhvilluar 1 javë më parë, gjysmën e nevojave po e mbulonte me energji nga importi, e cila zgjaste deri të hënën.

Por, pse KESH importoi kur priste reshje shiu? Sipas shpjegimeve në parashikimet e Koporatës pritej që shiu të fillonte të dielën pasdite.

Kjo ndodh edhe pse Korporata Elektroenergjitike në muajin maj të këtij viti, tenderoi rreth 1.3 milionë euro për të përmirësuar sistemin e saj satelitor për parashikime dhe menaxhim sa më të saktë të Kaskadave, ndërsa në tetor një tjetër tender rreth 1.5 mln euro synonte matjen më të mirë të nivelit të ujit në basene.

Ndërkohë në Kosovë nuk u bë i mundur depozitimi pasi fikja e termocentraleve sillte më shumë kosto për palën tjetër. Në eksport, KESH ka arritur të shesë rreth 15 mijë mWH me çmim mesatar 210 euro. Kjo sasi e shitur mbulon vetëm nevojat e vendit për një ditë dhe është një operacion që e nxjerr me humbje Korporatën pasi është shitur rreth 20 euro më ulet se sa është blerë një javë më parë.

KESH nga ana tjetër shprehet se me menaxhimin e kaskadave dhe shkarkimeve ka shmangur përmbytjet në zonën e nën Shkodrës. Gjithashtu parashikon që shiu të zhvendoset për më tutje nga Lindja në liqenin e Fierzës, aty ku ka mjaft kapacitet rezervimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA