Program i ri për strehimin, Qeveria prezanton 6 skema për familjet e reja dhe shtresën e mesme, 4 mijë përfitues

10/09/2026 19:58

Qeveria prezantoi Programin Kombëtar të Strehimit Rilindja 2.0 me synimin e hapjes të një kapitulli të ri në politikat e strehimit. 

Kryeministri Edi Rama tha se deri më tani  janë 30 904 familje që janë shërbyer me politikat tona të strehimit. Tregoi ambicien e të siguruarit një shtëpi prej çifteve të reja.

“Ne do të pajisim 4 000 çifte të reja me çelës shtëpie, 4 000 çifte të reja sipas kritereve që do të bëhen të qarta, kuptohet, po këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën, ato janë të tjera. 4 000 çifte të reja të ndarë sipas kategorive. Janë 2 000 kredi me interes zero……. Pra, për çdo apartament nën 60 000 euro dhe këtu flasim për apartamente të vogla dhe dua ta theksoj, që gjithë këto politika janë ndërtuar mbi një studim të imët të bërë nga grupi i punës të politikave të strehimit sot në Europë dhe jo vetëm në Europë. Pra, për apartamente të vogla për të nisur jetën me një çelës në dorë, ne do të zerojmë kredinë ndërsa 2 000 kredi të tjera do të jenë me interes vetëm 3 % për apartamente që janë mbi 60.000 euro”, u shpreh kryeministri Rama.

Janë 6 programe dedikuar strehimit duke nisur nga ai i banesave sociale me qira, ndërtime të reja të blera nga tregu ose përshtatje të objekteve të konfiskuara, banesa me kosto të ulët, me subvencion nga shteti të kredisë së marrë dhe përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabil.

Një program i veçantë infrastrukture në zonat informale për të adaptuar banesa të caktuara si banesa sociale, një tjetër është i lidhur me banesat të përkohshme për njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore përfshi programin e banesave të veçanta të përshtatura për familjet apo  individët me aftësi të kufizuara.

Kryeministri Edi Rama u shpreh me nota shqetësuese se si po qeveriset Tirana me një kryebashkiakun Erion Veliaj në paraburgim. “Heqja e kokës dhe eksperimenti social, legal, ekonomik, politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima” deklaroi kryeministri.

“Që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsyet që dihen dhe për mos arsyet që nuk dihen, unë mendoj që viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj koke prerjeje të padëgjuar në historinë e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Europës që hyjnë në Këshillin e Europës, s’ka asnjë rast. Këshilli i Europës ka dy raste, më saktë Gjykata e Strasburgut dy, të cilat në të dyja ka shpallur arbitrar mbajtjen në paraburgim të një kryetari njësie bashkiake diku në Hungari dhe të një kryetari bashkie në Turqi. Referenca demokratike dhe është rasti i Shqipërisë që është rast që është shumë më i rëndë dhe shumë më i mbrapsht sesa dy rastet e tjera”, tha Rama.

Kjo reformë e strehimit tha kryeministri, do të shoqërohet me një organizim të ri institucional, ku Agjencia e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkitë do të funksionojnë si një sistem i vetëm.

6 PROGRAMET E STREHIMIT

  1. Programi i banesave sociale me qira, ndërtime të reja të blera nga tregu ose përshtatje të objekteve të konfiskuara.
  2. Banesa me kosto të ulët, me subvencion nga shteti të kredisë së marrë.
  3. Përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabil.
  4. Program i veçantë infrastrukture në zonat informale për të adaptuar banesa të caktuara si banesa sociale.
  5. Programi i banesave të përkohshme për njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore.
  6. Programi i banesave të veçanta të përshtatura për familjet apo individët me aftësi të kufizuara.

Top Channel