The Guardian: Manchester United do të padisë Cristiano Ronaldon pas intervistës së tij të fundit

18/11/2022 15:49

Manchester United ka emëruar avokatë për të paditur Cristiano Ronaldon për shkelje të dyshuar të kontratës pas pretendimeve të bëra nga sulmuesi në një intervistë të fundit, me klubin që kërkon një zgjidhje të shpejtë për këtë çështje.

Kjo do të thotë se Ronaldo pothuajse me siguri nuk do të luajë më kurrë për United dhe kuptohet që 37-vjeçari është udhëzuar të mos kthehet në bazën stërvitore të klubit Carrington pas pjesëmarrjes së tij me Portugalinë në Kupën e Botës në Katar, thotë The Guardian.

Të premten në një deklaratë të klubit thuhej: “Manchester United ka nisur këtë mëngjes hapat e duhur në përgjigje të intervistës së fundit të Cristiano Ronaldos në media. Ne nuk do të bëjmë komente të mëtejshme derisa ky proces të arrijë në përfundimin e tij.”

Ronaldo bëri një sërë akuzash për United ku ai thotë se po detyrohet të largohet nga klubi, pasi drejtuesve të lartë u mungonte empatia kur djali i tij i porsalindur vdiq në prill, se pronarët nuk kujdesen për klubin dhe se për menaxherin, Erik ten Hag, nuk kishte respekt.

Kontrata e Ronaldos vlen rreth 500 mijë funte në javë dhe skadon në korrik. United nuk kishte njohuri paraprake për intervistën e dhënë nga Ronaldo, i cili donte të largohej në verë.

Dalja publike me pretendimet e tij ndaj United Ronaldos e ka dëmtuar rëndë pozitën dhe statusin e tij.

Top Channel