Reja: Nëse unë qëndroj në Kombëtare vijnë vetëm ata që e ndjejnë, do doja që skuadra të luante ashtu si dikur shqiptarët luftonin turqit

18/11/2022 16:44

Shqipëria do të zhvillojë këtë të shtunë miqësoren e fundit, atë ndaj Armenisë që do të zhvillohet në “Air Albania” në orën 17:30.

Duke folur në konferencën për mediet në prag të kësaj përballjeje trajneri Edoardo Reja u shpreh se nëse do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës së Shqipërisë do të lejojë që fanellën “kuqezi” ta veshin vetëm ata që vërtetë e ndjejnë dhe jo lojtarët që vijnë vetëm për t’u dukur.

Më tej Reja theksoi se i pëlqen shumë Shqipëria si vend dhe shton që do të dëshironte që ekipi të luante në fushë ashtu si dikur të parët tanë kanë luftuar me turqit.

Pas kohës që ju jeni në krye të Kombëtares a ka rritje kjo skuadër dhe përse sipas jush Edi Reja duhet të vazhdojë të jetë në krye të Kombëtares?

“Ne kemi folur shpesh për të ardhmen time, por e vërteta është që Shqipëria ka pasur rritje graduale. Sa i përket kontratës është diçka që e gjykon tjetër kush, Presidenti, Media të gjithë ju bashkë. Sa i përket rezultateve kemi marrë rezultate të mira, përmendim ndeshjet me Izraelin dhe Islandën, duhej të kishim marrë më shumë pikë sigurisht, por nëse s’do të kishte minuta shtesë ne mund të kishim marrë më shumë pikë. Megjithatë nuk jam unë ai që vendos në fund për kontratën, jemi përpjekur të punojmë me të rinj dhe me lojtarë të Superiores.”

Gabimet, sidomos ato individuale janë të shpeshta, kaq e vështirë është që skuadra të gabojë më pak?

“Githkush mund të bëjë më mirë, e kemi thënë gjithmonë që duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, por është çështje mentaliteti edhe pse jemi përmirësuar sadopak. Ndodhi dhe me Italinë, i kemi analizuar, me Italinë krijuam aq shumë raste për gol, por nuk shënuam. Nëse do të kishim një lojtar që futet në zonë dhe në çdo ndeshje e bën gol do të ishte shumë e mirë. E thamë edhe para Italisë që na intereson paraqitja e lojtarëve dhe e bëmë një paraqitje shumë të mirë.”

Nëse do jeni në krye të Kombëtares, keni menduar të krijoni një grup tjetër për kualifikueset e Europianit?

“Normalisht në të ardhmen do të duhet të bëjë disa zgjedhje përfundimtare, sigurisht është edhe çështje brezi dhe disa lojtarë do duhet të mos jenë më këto. Qëllimi ynë është që të shkojmë në finalet e Euro 2024, po punojmë, sigurisht ky është një proces i vështirë, pasi nëse bën shumë ndryshime duhet punë për përshtatjen e lojtarëve të rinj. Është diçka shumë e rëndësishme që lojtarët që do vijnë duhet të vijnë me bindjen që të japin gjithçka për këtë skuadër dhe për këtë fanellë.”

Sa janë shancet për të thyer tersin e mungesës së fitoreve, në takimin me Armeninë?

“Bëhet një vit e 3 ditë nga fitorja e fundit që kemi pasur me Shqipërinë sigurisht që nuk më pëlqen, nuk dua të krijoj pritshmëri sa i përket rezultatit nesër, dua të provoj disa lojtarë të rinj që kanë ardhur nga Superioria dhe që kanë bërë mirë me Katarin dhe Arabinë Saudite dhe do doja t’i provoja.”

Lojtarët e rinj: “Sigurisht që e kisha programuar edhe më parë që në këtë miqësore do të provoj lojtarë të rinj. Deri nesër në mëngjes do të vlerësoj kush është në gjendje të luajë pasi kanë pasur edhe shumë ngarkesë. Hadroj, Gurishta, të shohim Bitrin, Muçi dhe Skuka do luajnë që nga minuta e parë dhe jam i bindur që do bëjnë paraqitje të mirë.”

Lojtarët që do ftohen në Kombëtare në të ardhmen:

“Sot të gjithë të rinjtë janë të bindur se kanë të drejtë të luajnë si titullar, por nuk është kështu duhet të punosh dhe të tregosh veten. Në Kombëtare nuk ke kohë të bësh eksperiemente dhe miqësoret na shërbejnë për të provuar. Ata që nuk duan dhe nuk vijnë me dëshirë këtu atëherë nuk do të ftohen më në Kombëtare.”

Nesër është ndeshja e fundit në krye të Shqipërisë në kontratën tuaj, a do ju vinte keq nëse do iknit, si ndjeheni?

“Sigurisht që në këtë drejtim e ndjej si një ndeshje të veçantë, por nëse nuk do jem trajneri i Shqipërisë unë do të jem i dashuruar me këtë vend. Para pak ditësh vizitova jugun, Sarandën e Gjirokastrën e të tjerë. Flitet shumë për jugun e Shqipërisë, por nuk ka vetëm jugun, ky vend është shumë i bukur. Nuk e di si e shihni ju, por e ndjej që ka shumë njerëz këtu që më duan dhe nëse nuk do jem më trajner i Shqipërisë do të vij shpesh këtu për ta vizituar. Kam lexuar disa libra dhe histori më të hershme. Shqiptari ka treguar karakter shumë të fortë me turqit dhe do doja që këtë karakter të fortë ta tregonte edhe duke luajtur futboll.”

Top Channel